close

(VIDEO) MICKOSKI THOTË SE PO NDIQET, MPB-ja PËRGËNJESHTRON

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një prononcim për median maqedonase ka drejtuar akuza në adresë të Ministrisë së Brendshme se po ndiqet nga struktura të kësaj Ministrie. Ai madje potencon se skenari i ardhshëm mund të jetë arrestimi i tij. Këto pohime janë përgënjeshtruar nga MPB-ja.

VMRO-DPMNE është e gatshme të shkojë në zgjedhje në çdo kohë, por ata që i ikin përballjes janë pikërisht funksionarët në pushtet, të cilët kanë frikë se duhet të përgjigjen për krimin dhe korrupsionin, ndërsa duke ikur nga pasojat janë të gatshëm t’u kundërvihen të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata. Kështu ka deklaruar, në një intervistë për median maqedonase, kreu i opozitës Hristijan Mickoski duke shtuar se, në periudhën e ardhshme pret një skenar të arrestimit të tij, pasi siç ka potencuar, po ndiqet nga struktura të MPB-së.

“Jam i vetëdijshëm se mund të vijë edhe deri te ajo. Kam biseduar me familjarë të mi, se nga Zoran Zaev dhe nga ata rreth tij mund të pritet gjithçka, mund të pritet edhe që të vijnë të më arrestojnë. Kjo le të jetë apel për ata persona që rrotullohen rreth meje, një njësi speciale e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me arsyetimin se janë këtu që të mbikëqyrin oborrin e shkollës, që është në afërsi të shtëpisë sime. Unë jam i gatshëm dhe nuk ka asnjë dilemë se e di cili është qëllimi i kësaj qeverie despotike.” -tha Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Këto supozime janë përgënjeshtruar nga MPB-ja duke shtuar se lideri i VMRO-DPMNE-së, me kërkesë të tij, nga viti i kaluar, ka sigurim nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme. /Klan Macedonia/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!