Ligji për kthimin e një pjese të TVSH-së qytetarëve hyn në fuqi më 1 Korrik, prej se mbrëmë me procedurë të shkurtër u votua nga deputetët në Kuvend. Qytetarët do të kenë të drejtë kthimin e 15% të TVSH-së në llogaritë fiskale, ku shuma e llogaritur në tatim, prej ku kthehet tatimi kap shumën maksimale prej 12 mijë denarëve në një tremujor.
Bëni gati celularët sepse nga një korriku do të hyjë në fuqi Ligji për kthimin e një pjese të tatimit të vlerës së shtuar (TVSH-së) për personat fizikë. E drejta për kthim të tatimit mund të realizohet vetëm njëherë për një faturë fiskale, ajo mund të jetë në lartësi prej 15 për qind nga shuma e TVSH-së që tregohet në faturën fiskale të dhënë, dhe se tatimi kthehet çdo tre muaj brenda së cilit duhet të jetë edhe fatura fiskale.
Sipas ekonomistit Etem Iseni ky ligj mundëson që jo vetëm shteti përmes inspektoratëve ta luftojë ekonominë e zezë, por edhe qytetarët të kontribuojnë në të njëjtën. Iseni poashtu shton se ligji mundëson mosfavorizimin e qytetarëve që kanë të ardhura më të larta në krahasim me qytetarët të cilët kanë të ardhura më të ulta.
Sipas Isenit, më humbës nga ky ligj do të jenë kompanitë që i deklarojnë të fiskalizuara të gjitha qarkullimet, edhe të mallrave, edhe të shërbimeve, ndërkaq qytetarët, sipas tij do të jenë përfitues.
Për realizimin e kësaj të drejte, qytetarët duhet t’i paraqesin të dhënat nga bar-kodi i llogarive fiskale që i marrin gjatë blerjes, përmes një softueri aplikativ për këtë dedikim të DHP-së. Pritshmëritë e Qeverisë janë që nëse qytetarët i shfrytëzojnë të gjitha faturat fiskale, t’u kthehen rreth 50 milionë euro në vit. /Blerona Jakupi/