close

(VIDEO) PTHP: DORËZOHEN AKUZA PËR AKSIDENTIN TRAGJIK NË LLASKARCË

Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti padi penale kundër gjashtë personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, të cilat rezultuan me aksidentin e rëndë të komunikacionit me autobusin e “Durmo Turs”, në të cilin 16 persona e humbën jetën, ndërsa gjithsejt 38 persona ishin të lënduar rëndë.

Në periudhën kohore nga 2 korriku i vitit 2018 deri më 13 shkurt të vitit 2019, pronari i akuzuar i ndërmarrjes transportuese dhe personi i akuzuar përgjegjës për parkun vozitës të transportuesit, nuk u janë përmbajtur rregullave për siguri të komunikacionit të autobusëve për transport publik masiv. Edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se mund të ketë pasoja të dëmshme, kanë shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve që kanë qenë në autobus në ditën kriktike në relacionin Shkup – Gostivar –thonë nga Prokuroria Publike.

Tre persona tjerë, të punësuar në stacionin për kontroll teknik, janë akuzuar se në bashkëpunim kanë kryer vepër penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, neni 300, paragrafi 2 në lidhje me nenin 299, paragrafi 1 nga Kodi Penal. Siç thuhet në komunikatë, atyre u është besuar mbikëqyrja për gjendjen dhe rregullësinë e autobusit, por me kryerje të pandërgjegjshme të detyrës gjatë kontrollit të obligueshëm teknik, kanë shkaktuar rrezik për jetën e udhëtarëve.

Në komunikatën e Prokurorisë Publike gjithashtu thuhet se në padinë penale është përfshirë edhe shoferi i autobusit në ditën kritike, 13.02.2019, i cili akuzohet se ka kryer vepër penale – Vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës nga neni 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal.

Prokuroria Themelore Publike Shkup në lidhje me ngjarjen e njëjtë, sot ka dorëzuar edhe propozim për ndjekje penale kundër një personi i cili akuzohet se ka kryer vepër penale – Punë e papërgjegjshme, nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 nga Kodi Penal.

Ky i akuzuar, si person përgjegjës juridik, i obliguar të bëjë kontrollimin e punës së tahografit në autobus, edhe pse ka vërtetuar se ekziston pajisje e integruar për manipulim të aparatit, ka dhënë vërtetim dhe ka plotësuar afishe me të cilën e ka konfirmuar rregullsinë dhe përputhshmërinë me kërkesat e caktuara me ligj. Në këtë mënyrë ai ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë kryerjes së obligimeve dhe ka mundësuar që ndërmarrja transportuese dhe personi përgjegjës në të, të posedojnë fakte për gjendjen e rregullt të tahografit – thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike. /Klan Macedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!