close

(VIDEO) TEMPERATURAT E LARTA, RREZIK NGA ZJARRET

Territori i Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga një valë tropikale dhe tempartura të larta që do të arrijnë deri në 40 gradë, derisa indeksi UV do të jetë 9. Siç njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometereologjike, i gjithë territori do të jetë nën të ashtuquajturën fazë e verdhë alarmuese për temperatura të larta. Por në këto raste, të shumta janë edhe paraqitjet e zjarreve. Nga NJTKZ – Tetovë apelojnë që qytetarët të rrisin kujdesin.

Me rritjen e temperaturave dukshëm janë rritur edhe rastet e zjarrit, sidomos në ambiente të hapura, vendbanime dhe makina, theksojnë nga Njësiti Territorial Kundër Zjarrit – Tetovë.

Sipas Uka Alitit, arsyeja kryesore pwr paraqitjen e zjarreve është moskujdesi që tregohet nga ana e qytetarëve.  Ai këtu thekson se ndër të tjerët, kujdes të veçantë duhet të tregojnë bujqërit me përdorimin e makinerive, pasi që është edhe periudha e korrje-shirjeve dhe gjasat e paraqitjes së zjarreve në ambiente të hapura janë të mëdha.

‘Faktor kryesor për paraqitjen e zjarreve fatkeqësisht është faktori njeri. Shpërthimi i zjarreve vjen nga pakujdesia e qytetarëve. Bujqit gjithmonë pas korrjes së drithit, mbetjet që i lënë nëpër fusha i djegin duke mos menduar se zjarri në këto temperatura të larta ku të njëjtat i ndihmojnë zjarrit që të zgjerohet dhe flakët e zjarrit të marrin kahje të pakontrolluara.’ –deklaroi Uka Aliti i NJTKZ.

Pasi që është periudha që qytetarët shkojnë në pushime dhe mërgimtarët kthehen në vendlindje, Aliti apelon që të kihet kujdes me fikjen e aparaturave të caktuara në shtëpi. Bujqit të mbajnë me vete gjithmonë aparat kundër zjarrit dhe vozitësit të kenë kujdes me makinat dhe të mos shkaktojnë vonesa për kalimin e makinave të njësitit për të intervenuar në kohë në raste të fatkeqësive, porosit ndër të tjera Aliti.

“Do apeloja tek të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm, të bëjnë kontrollimin e aparaturës që anë në shtepitë e tyre, se si i lënë pasi që shkojnë me pushime, të bëjnë kontrollimin e automjeteve të tyre.” shprehet Uka Aliti i NJTKZ.

Nga fillimi i këtij viti, NjTKZ – Tetovë ka kryer gjithësej 314 intervenime ku nga zjarri fatmirësisht ka pasur vetëm dëme materiale. Në krahasim me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë, këtë vit ka mbi 80 intervenime më tepër. Ndryshe, Temperaturat në vendin tonë zyrtarisht maten që nga viti 1948. Nga Drejtoria për Punë Hidrometereologjike thonë se matje janë bërë edhe më herët, por nuk dihet sa kanë qenë të sakta. Pas alarmit për temperature tropikale, autoritetet e vendit kanë dalë me të dhëna statistikore. Kësisoji, sic thuhet, vera më e nxehtë në Maqedoni është shënuar në vitin 2007 kur temperaturat kanë arritur deri në 45.7 gradë Celsius. /Blerona Jakupi/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!