close

(VIDEO) TETOVË: SËRISH PROTESTA KUNDËR LIGJIT PËR PËRGJIMET

PSP të hap lëndë bazuar tek përgjimet


Në Tetovë u organizua protesta e radhës kundër ligjit për sanksionimin e personave të cilët bëjnë publikimin e bisedave të përgjuara. Protesta ishte paqësore dhe në të morën pjesë edhe shoqata të ndryshme nga diaspora.

Dhjetëra protestues nga qytete të vendit dhe Shqipërisë u grumbulluan në Tetovë për të protestuar në lidhje me ligjin për përgjimet, i cili siç u theksua mbron klasën e kriminalizuar politike dhe sanksionon publikuesit e bisedave duke kërkuan që i njëjti të shpallet i pavlefshëm.
Marshi i protestuesve filloi nga Universiteti i Tetovës, por u ndërpre nga kordoni policor i cili ishte vendosur në hyrje të fshatit Reçicë e Vogël me qëllim mos afrimin e protestuesve në selinë e BDI-së që ndodhet pikërisht aty.
Blerim Ahmeti, vëllai i El Chekës, i cili ishte edhe ndër organizatorët e protestës, theksoi se në incizimet e përgjuara përveç shkeljeve të të drejtave të njeriut shkilet edhe Kushtetuta e vendit. Shfrytëzimi i pushtetit për interesa personale, vrasjet, diskriminimi, keqpërdorimet dhe mobingu janë në interes publik, theksoi Ahmeti.
Në mbështetje të protestës ishte edhe Shpëtim Pollozhani nga Shoqata e të burgosurve politik shqiptar i cili theksoi se urdhëri për bllokadë me polici është turp, pasi që siç u shpreh, qytetarëve nuk duhet t’iu mohohet e drejta e protestës. Prokuroria të hapi lëndë bazuar nga përgjimet deklaroi Pollozhani.
Përveç ligjit për përgjimet, protestuesit kërkuan edhe hetime ndërkombëtare për rastin e Almirit, Lagjen e Trimave, rastin e Harun Aliut dhe raste të tjera. Protesta u mbështet nga shoqata të ndryshme të cilat veprojnë në diasporë, shoqata ‘Atdheu’, ‘Kalaja’, shoqata shqiptaro – amerikane me seli në Çikago dhe të tjera. Poashtu u paralajmërua që protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. /Blerona Jakupi/
Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!