close

VIZITA E CIPRASIT DHE PËRFITIMET EKONOMIKE

Qytetarët të përmbajtur rreth benefiteve


Delegacioni qeveritar grek si dhe ai i biznesit, të udhëhequr nga kryeministri Aleksis Cipras, hapi dyert për përfitime të dukshme nga Marrëveshja e Prespës, në të dyja anët e kufirit, deklarojnë disa nga gazetarët grekë që udhëtuan për në Shkup. Por, qytetarët me të cilët kontaktuam në lidhje me premtimet rreth përfitimeve nga kompanitë greke, janë pak skeptikë.

Për disa “historike”, për të tjerët “vizitë pa arsye”, kështu e vlerësojnë një pjesë e qytetarëve vizitën e djeshme të parë zyrtare të kryeministrit grek Aleksis Cipras në vendin tonë. Mbetet në dorë të më shumë se njëqind afaristëve nga Greqia fqinje, të cilët bashkë me biznesmenët nga Maqedonia morën pjesë në forumin e biznesit që u mbajtë të hënën, të gjejnë interesa të përbashkëta dhe projekte të reja , gjë për të cilën  rrugën e kanë të hapur nga politikanët. Gazetari grek, Janis Simenoides, i cili shkruan për gazetën “Politika”, në intervistë për Tv Klan thotë se Marrëveshja e Prespës ka rëndësi thelbësore për mënjanimin e pengesave për bashkëpunim ekonomik.

“Ashtu siç tha edhe kryeministri Cipras, kur udhëtoi nga Athina në Bruksel, ka pasur pengesa për të kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, atëhere FYROM. Paramendoni sa ishte më e vështirë për komunitetin e biznesit të lidhë partneritete. Aq sa jam i informuar, do të formohet organizatë, e cila do të merret me zgjidhjen e problemeve të caktuara si tatimi i dyfishtë, shkëmbim më i madh tregtar, e të tjera.” deklaroi Janis Simenoides, gazetar grek.

Simenoides shton se me Marrëveshjen e Prespës të dy shtetet fituan shansin që bashkërisht të hapërojnë drejt skenës ndërkombëtare, si shtete fqinje mike, që do të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të tjera në rajon. Por, qytetarët me të cilët kontaktuam janë të përmbajtur në pritshmëritë e tyre:

“Kryesisht nuk besoj, nëse do të besoja atëherë do të kisha bindjen se vajza ime, e cila ka mbaruar doktoraturën do të kthehet, ajo më thotë se nuk do të kthehet.”

“Investimet e mëdha kryesisht nuk vijnë nga politikanët, vijnë nga ligjet të cilat i implementojnë, dhe nga situata gjeo-politike e vendit, për momentin nuk jemi të gatshëm për investime të reja, mirë që i kemi edhe ato.”

“Nuk u besoj asgjë atyre njerëzve, jam nga pjesa e Egjeut e Maqedonisë, e di si janë grekët, ata janë fanatikë dhe nacionalistë, nuk besoj asgjë nga kjo.”

 “Nuk di çfarë të them, ata mund të vijnë, por le të mos vijnë vetëm për eksploatim, punëtorët të punojnë për 200 euro, të mbledhin ajkën dhe të shkojnë.”

“Besoj, po, besoj tek Zaevi”

Statistikat tregojnë se pas Marrëveshjes së Prespës shkëmbimi tregtar midis Maqedinisë së Veriut dhe Greqisë është rritur për 20.7 %. Investimet e reja të paralajmëruara lidhen me projekte të mëdha në fushën e energjetikës, tregtise, shëndetësisë, turizmit dhe fushave të tjera. /Verica Dimitrijevska/