close

VMRO DPMNE ASSESI TË LIROHET NGA NACIONALIZMI

Ligji për gjuhët dhe shqiptarët sulmohen nga shumica e kandidatëve


Asgjë e re nga VMRO DPMNE. Kandidatët bëjnë thirrje të anulohet Ligji i Prespës, Ligji për përdorimin e gjuhëve, e delegatët e miratojnë me duartrokitje. 7 nga gjithsej 9 kandidatët, folën më shumë se si do të shkaktojnë krizë dhe do ta detyrojnë pushtetin që të shkojë në zgjedhje të parakohshme, e pothuajse asnjë fjalë nuk e patën se si do ta kthejnë besimin e qytetarëve tek institucioni, President i shtetit.

Bënin thirrje qytetarëve të votojnë që siç e quajtën, terroristi, Talat Xhaferi, mos ta merr funksionin e Presindetit. Njëri prej tyre tha se duhet të mendohet edhe për bashkëpunim me Moskën, e tjetri, do të propozoj ligj për dënim me vdekje për tradhtaret.

“Do të propozoj ligj për dënim me vdekje për veprën tradhti. 
Nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës nga bindje personale. Do të propozoj referendum për Maqedoni të pavarur dhe neutrale deri tek të gjithë deputetet në Kuvend, do të propozoj referendum për flamurin me diellin 16 harkor dhe për stemën me luanin. Nëse nuk kalon, do të kërkoj përkrahje nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, me mbledhjen e 100mijë nënshkrimeve. Maqedonia e maqedonasve.” –deklaroi Vasko Kostov – Farmacist. 

“Edhe tani disa maqedonas po kalben burgjeve… Duhet të lirohen të gjithë, deri me një. Nuk mundet ata që kanë ndaluar grusht shtetin të mbahen në burgje, e disa nga Sopoti, Kumanova apo Monstra të lirohen dhe t’u paguajmë dëmshpërblime. Nëse vendosemi për bojkot, do t’i bëjmë dhuratë Talat Xhaferit, një terrorist i njohur dhe dezertor edhe nga JNA, edhe nga ARM. Anulimi i Marrëveshjes së Prespës, pa pardon.  Anulimi i dygjuhësisë, pa pardon. Si aktivitet primar i Presidentit duhet të jetë shkaktimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.  Mos ta gënjejmë vetën, ai njeri nuk mendon për Maqedoninë, mendon për Iliridën, apo në Shqipërinë e Madhe. Jo vetëm që do t’i mbroj këto teza, por nuk do ta nënshkruaj asnjë ligj të Zaevit… Jo vetëm këta ligje që nuk janë në rregull, por asnjë ligj. Nëse doni zgjedhje të parakohshme nuk do ta votoj asnjë ligj.” shprehet Filip Petrovski. 

“Ndryshimi i emrit kushtetues i shtetit tonë biblik, për përdorim të jashtëm, por çka në dhemb edhe më shumë, për përdorim të brendshëm, votimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare… Jap fjalën se tanimë partneritetin tonë me NATO-n, BE-në, SHBA-në do t’i respektojmë, por nuk guxojmë t’i harrojmë edhe në faktorët tjerë ndërkombëtarë të cilët kanë ndikim edhe në situatën politike, por edhe ekonomike… Mos ta harrojmë Rusinë, Kinën, Indinë, Australinë, Japoninë, do të thotë nuk guxojmë që t’i ndërpremë edhe këta lidhje që vetëm të jemi me një palë.” vlerëson Goran Angelov.

E pyetëm kryetarin e partisë, Hristijan Mickoskin, se a është kjo fytyra e vërtetë e partisë, a ai tha se distancohet nga komentet e pahijshme, por shtoi se fjala e lirë zë vendin në demokraci.

“Qëndrimi i VMRO DPMNE-së është i qartë, ardhmëria e Republikës së Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. VMRO DPMNE tani dhe në të ardhmen do të ndërtojë marrëdhënie partneriteti me të gjithë fqinjët tanë.  VMRO DPMNE është faktor i vërtetë koheziv i mes të gjithë etnive në Republikën e Maqedonisë. Profesoresha Siljanovska ndau disa detaje të jetës private… Shtëpia ku ajo ka lindur, lidhjet familjare me një etnitet tjetër. Unë mund të ndaj përvoja personale dhe lidhjet e mia shoqërore… Për gjithçka që u fol këtu, ne si VMRO DPMNE kemi qëndrim tonin dhe ky qëndrim mbetet i pandryshueshëm. Prej komenteve të pahijshme edhe si parti, por edhe si udhëheqësi e partisë distancohemi.”-thekson Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.

Shumica e këtyre kandidatëve, nuk morën asnjë votë, e dallimi mes Siljanovskës dhe të dytit, Gjorçev, ishte më shumë se 300 vota. /Furkan Saliu/