close
Vendi

VMRO-DPMNE-ja KRITIKON PËR DRUNJ TË THARË NË SHKUP

9CE82180-246D-4887-921E-CDA3C266F39F

SHILEGOV: SHKUPI ËSHTË QYTETI MË I GJELBËR


Retorika partiake parazgjedhore në Shkup sot u fokusua në drunjtë në një nga bulevaret kryesore në Shkup. Opozitarja VMRO-DPMNE e akuzon kryetarin e qytetit të Shkupit për shpenzimin e parave të buxhetit për për drunj që një muaj pas mbjelljes janë tharë. Petre Shilegov pohon se qyteti tani është shumë më i gjelbër, ndërsa vazhdon ripërtërirja e bregut të lumit Vardar në Qendër. 

Opozitarja VMRO-DPMNE sot deklaroi se drunjtë e mbjellur pak kohë më parë në bulevarin Nikola Karev janë tharë. Furnizimi i drunjve, siç informojnë, i ka kushtuar buxhetit të qytetit gjithsejt 9,5 milionë denarë. Autoritetet e qytetit kanë bërë furnizime të drunjve dekorativë me çmim 10.000 deri në 25.000 denarë për një dru. 

MARIJA MITEVA, VMRO-DPMNE

“Këta janë drunj që janë mbjellur para rreth 30 ditësh, ndërsa siç mund të shihni të gjithë janë tharë. Është i madh paradoksi që si qytetarë jemi të obliguar të paguajmë për mirëmbajtjen e hapësirave publike, ndërsa në kthim marrim gjelbërim të shkatërruar në hapësirat e qytetit.” 

Kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov disa herë është lavdëruar se në vitet e kaluara Shkupi është qytet dukshëm më i gjelbër. 

PETRE SHILEGOV, KRYETAR I QYTETIT TË SHKUPIT 

“Ne kemi investuar disa milionë euro në gjelbërim në periudhën e kaluar dhe mendoj se kjo është e dukshme. Nuk ka njeri në Shkup që nuk e sheh sa më intensiv është gjelbërimi.” 

Kritika për shpenzime për drunj të papërshtatshëm në Shkup ka pasur shpesh edhe në të kaluarën, por më të ashprat lidhen me mijëra palmat që i mbolli në gjithë Maqedoninë e Veriut pushteti i VMRO-DPMNE-së para disa vitesh. Vlerësimet janë se të paktën gjysmë milion euro para nga buxheti kanë përfunduar në furnizimin me palma kineze, numri më i madh i të cilave u thanë për shkak të dimrave të ashpër në këtë pjesë të botës, ndërsa në Ohër u hoqën për shkak të rekomandimit të UNESKO-s si të papërshtatshme për faunën lokale. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia