VMRO-DPMNE-ja opozitare propozon versionin e saj të ligjit për Prokurorinë Publike, disa muaj pas bllokimit të bisedimeve dhe hudhjes kategorike të propozim-ligjit i cili ishte në tavolinë, dhe i cili duhej ta rregullonte të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike.
Lideri i partisë, paraditen e sotme rreth kësaj teme bisedoi me diplomatin e lartë amerikan Filip Riker. Në konferencë për shtyp njoftoi se në versionin më të ri të propozim-ligjit janë pranuar disa nga propozimet e tyre, por megjithatë versionin e LSDM-së qeveritare e përshkroi si përpjekje për presion të atyre që nuk mendojnë njësoj dhe për amnisti të keqbërësve. Njëra nga vërejtjet kryesore ka të bëjë me mundësinë për bartjen e personelit të tanishëm të PSP-së, ku pohon se 90 % e tyre janë familjarë ose miq të Katica Janevës dhe bashkëpunëtorëve të saj, në Prokurorinë e re për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë.
“Ne nuk mund të pajtohemi me ligjin që këta njerëz të barten në Prokurinë e sapoformuar dhe nuk mund të pranojmë që të gjithë juristët tjerë të aftë në vend të mos kenë mundësi të barabartë, nëse këta persona të privilegjuar si mbesa, bija, motra, kushërinj të konkurojnë në konkurs që do ta shpallë Prokuroria e re.” –tha Hristjan Mickoski, VMRO DPMNE.
Mickoski insiston që të bëhet hetim i detajuar për rastin “Reket”, përkatësisht të verifikohet nëse Prokurorja speciale, e cila tani për tani nuk është lëndë hetimi, por vetëm i janë marrë telefonat, nëse ka qenë e përfshirë në rastin me dy të dyshuar të cilët janë në paraburgim, por edhe me disa funksionarë të qeverisë, siç tha, emrat e të cilëve përmenden në media. Përndryshe, akuzat e ngritura deri më tash dhe hetimet nga PSP-ja në masë të madhe kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës dhe korrupsionin e anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, ndërsa në njërin prej tyre u dënua me dy vite burg edhe ish-lideri i partisë Nikolla Gruevski, i cili para se të arrestohet u arratis nga vendi dhe mori statusin e azilantit në Hungari. /Biljana Georgievska/