close

VON DER LEYEN RREZIKON VOTËN E SHUMICËS SË PE-së

Kandidatja për presidente e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen nuk ka mbështetjen e të gjitha grupimeve në Parlamentin Europian. Kjo rrezikon votimin nga shumica e eurodeputetëve të Parlamentit Europian javën e ardhshme, pa të cilin ajo nuk do të mund tê konfirmohet si presidente e ekzekutivit europian.

Shkëmbimi i ideve me grupimin e socialdemokratëve dhe atë të gjelbërve në Parlamentin Europian ka rezultuar pothuajse katastrofik. Por edhe vetë grupimi i saj i partisë popullore europiane nuk ka dalë hapur në mbështetje të saj, pasi liderët europianë kanë rrëzuar kandidaturën e këtij grupimi, Manfred Weber. I vetmi grupim që e mbështet hapur është ai i liberalëve dhe demokratëve. “Renew Europe”

“Ne sot përcollëm një mesazh të fortë të familjes tonë politike. Lufta kundër ndryshimeve politike, arritja e një modeli social europian të qëndrueshëm, politika e emigracionit dhe barazia gjinore janë prioritete absolute për ne. Ne kemi bërë disa kërkesa specifike për Von der Leyen dhe do presim qëndrimin e saj specifik ndaj këtyre kërkesave. Do të diskutojmë sërish mbi këtë para se të japim votën tonë javën e ardhshme.” –tha García Pérez, Kryetare e Grupimit Socialdemokrat (S&D).

“Ne i kërkuam Ursula von der Leyen njê mekanizëm europian për të siguruar që të gjitha qeveritë e Bashkimit Europian të respektojnë shtetin ligjor. Ky mekanizëm duhet shoqëruar me sanksione. Ne kërkojmë gjithashtu zhvillimin e një ekonomie të pastër dhe efektive duke integruar jo vetëm nevojat e mbrojtjes së mjedisit, por edhe procesin e digjitalizimit. Ne diskutuam edhe për një Europë të fortë ushtarakisht, por edhe për politikën e fqinjësisë, duke adresuar partneritetet e Lindjes dhe të Jugut, por dhe marrëdhëniet me rajonin e Ballkanit.” -deklaroi Dacian Ciolos, President i Grupimit të Liberalëve dhe Demokratëve “Renew Europe”

Dalja e parë e Ursula von der Leyen para shtypit nuk ka shërbyer në forcimin e imazhit të saj. Katër idetë e përçuara në konferencën për shtyp nuk janë risi. Bëhet fjalë për fondin e tranzicionit ekologjik, rrogën minimale në Bashkimin Europian, konsiderimin e inisiativave legjislative me shumicë absolute të Parlamenti Europian në rendin e ditës së Komisionit Europian, si edhe një prezencë më të madhe të Evropës në botë.

“Duhet të jemi më ambiciozë. Dioksidi i karbonit (CO2) duhet të ketë një çmim. Ne duhet të veprojmë më shpejt, për objektivat e fiksuara për vitit 2030, duke qenë se neutraliteti i klimës deri në vitin 2050 është një domosdoshmëri. Unë besoj se është e mundur të pajtojmë ndërgjegjen e klimës me një ekonomi të fortë dhe të begatë. Duhet të kemi një fond tranzicioni të klimës për të mbështetur këtë periudhë tranzicioni për ndërrmarrjet e vogla dhe të mesme që janë zemra e ekonomisë europiane. Së dyti, në çdo shtet të Bashkimit Europian, puna duhet të mundësojë një jetë sa më të mirë. Unë do të luftoj për një pagë minimale në të gjitha vendet e BE-së. Së fundmi, është kyçe që të kemi një Evropë të fortë dhe të bashkuar që merr rolin e saj në botë. Bota po thërret për më shumê Evropë, duke kërkuar më shumë angazhim nga Evropa.” -vlerëson Ursula Von Der Leyen, Kandidate për Presidente e KE-së.

Momentalisht, Bashkimi Europian nuk ka një plan B nëse Ursula von der Leyen nuk votohet nga shumica e eurodeputetëve javën e ardhshme dhe as për impaktin që kjo mund të ketë te kandidati për përfaqësues së politikës së jashtme dhe të sigurisë, Joseph Borrel. /Erisa Zykaj, Bruksel/