close

VOTOHET PËR TË PARIN E STAMBOLLIT

Epilogu me rëndësi për të ardhmen e presidentit turk


Mbi dhjetë milionë e gjysmë banorë të Stambollit me të drejtë vote, votojnë sot sërish për kryetarin e ri të bashkisë, pasi qeveria turke nuk pranoi fitoren e opozitës pas 15 viteve nën kontrollin e partisë së presidentit Erdogan. Zgjedhjet e sotme kanë marrë një peshë shumë të madhe, jo vetëm se kush do të fitojë, por agjencitë e lajmeve thonë se ato mund të jenë përcaktuese edhe për të ardhmen politike të presidentit Erdogan.

Këtë të dielë votohet sërish në Stamboll për zgjedhjet lokale, pasi autoritetet shmangën një fitore të opozitës që i dha fund 15 viteve të kontrollit nga partia AKP e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Kandidati i partisë opozitare, Ekrem Imamoglu, iu rikthye fushatës.

Mesazhi i tij për të kapërcyer ndarjen e thellë politike të Turqisë që i siguroi atij fitoren në muajin mars, është tashmë i gërshetuar me demokracinë.

Fitorja e Imamoglut u shmang nga autoritetet zgjedhore bazuar mbi një detaj teknik – për shkak të mosplotësimit të kritereve nga disa zyrtarë të qendrave të votimit.

Me një nga tre të rinjtë e Stambollit të papunë, në një qytet të goditur rëndë nga ngadalësimi ekonomik, është ekonomia që ka nxitur më shumë interes për shumicën e mbështetësve të Imamoglut.

Kandidati i partisë AKP, Binali Yildirim, shmang ekonominë dhe fokusohet tek pretendimi se iu vodhën votat e muajit mars. Yildirim ka zhvilluar fushatë në zonat që e mbështesin, duke synuar gjallërimin e bazës rreth mesazhit për mbrojtjen e demokracisë.

Stambolli përfaqëson një të tretën e ekonomisë turke dhe një buxhet prej 8 miliardë dollarësh. Rëndësia e votimeve të sotme është e lartë. Siç thotë një thënie turke “kush kontrollon Stambollin, kontrollon Turqinë”.

Me një lëvizje të minutës së fundit, Presidenti Recep Tayyip Erdogan, është rishfaqur në fushatë, pasi anketimet tregonin për një humbje të thellë të kandidatit të tij. Agjencitë e lajmeve thonë se zgjedhjet në Stamboll mund të përcaktojnë edhe për të ardhmen e tij, dhe jo vetëm të qytetit. /Klan Maqedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!