Vrasësi qëlloi 20 persona dhe plagosi 26-urretje ndaj emigrantëve
Policia në Teksas beson se një dokument i shkruar nga një djal 21 vjeçar, i cili dje qëlloi 20 persona në një qendër tregtare në El Paso në Teksas, e ka kryer veprën për shkak të urrejtjes ndaj emigrantëve në SHBA. Ai në internet ka publikuar një tekst në të cilin i ka akuzuar për “vjedhje” të vendeve të punës dhe përzierje të kulturave në vend. I arrestuari Patrik Krusius mendohet se me armë të tipit Kallashnikov ka hapur zjarr ndaj blerësve në një qendër tregtare, duke vrarë persona të rritur, fëmijë, burra dhe gra.
Policia përpiqet t’i zbulojë motivet e të dyshuarit për vrasjen e djeshme masive në Teksas, Patrik Krusius, por ende nuk është ngritur kallëzim penal kundër tij.
“Kjo është skena më e trishtuar që kam parë dhe ju siguroj se organet hetimore bëjnë gjithçka për ta rrumbullakësuar, me respekt të plotë për viktimat. Është e rëndë të shihet një krim i tillë përçarës në komunitetin tonë.”-deklaroi Robert Gomez, Zëdhënësi i Policisë.
Në bazë të hetimeve besohet se krimi është kryer për shkak të urrejtjes. Teksti që sulmuesi e ka publikuar në një rrjet social në internet, i gjatë rreth katër faqe, përmban këndvështrime raciste të një nacionalisti të racës së bardhë. Në të flitet për urrejtje ndaj emigrantëve në SHBA dhe personat me origjinë hispanike-amerikane i akuzon për marrjen e vendeve të punës dhe përzierje të kulturave në SHBA.
“Për momentin kemi një lloj manifesti nga ky person që tregon lidhjen e tij, në një masë të caktuar, me krim potencial për shkak të urrejtjes” -shprehet Greg Alen, shef i policisë, El Paso.
Por një përfaqësues i FBI-së në El Paso thekson se duhen më shumë detaje gjatë hetimeve para se të thuhet me siguri nëse bëhet fjalë për vrasje masive për shkak të urrejtjes ose për terrorizëm.
“Tash për tash vazhdojnë hetimet për vrasje. Ekzistojnë tregues për shkelje të shumta të ligjit, i analizojmë të gjitha faktet që të vërtetohet me saktësi.”- vlerëson Emerson Bui, Ispektor, Efbiaj.
Siç lajmëroi CNN, teksti për të cilin policia dyshon se është shkruar nga sulmuesi, në rrjetin e internetit për shkëmbime mesazhes “eitçan”, është publikuar vetëm njëzet minuta para se të merret thirrja e parë për të shtënat. Përveç 20 personave të vdekur, gjatë të shtënave janë lënduar edhe 26 persona të tjerë.