Presidenti serb pohon se Kosova nuk është as shqiptare e as serbe!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se angazhohet për vendosjen e kufirit me Kosovën. Në një intervistën për median në Beograd, Vuçiq ka thënë se është për zgjidhjen e problemit me një marrëveshje që do të pranohej edhe nga shqiptarët. Mospranimi i kompromisit, sipas tij do ta çonte Serbinë në tragjedinë deri tani më të madhe.
Në një intervistë të gjatë për portalin serb espreso.rs, presidenti Aleksandar Vuçiq ka theksuar nevojën që shqiptarët dhe serbët të arrijnë kompomisin e shumëpritur. Por, i pyetur se çfarë nënkupton termi korrigjim i kufirit, a nënkupton shkëmbim territoresh – jugun e Serbisë, përkatësisht Luginën e Preshevës, për Veriun e Kosovës, Vuçiq nuk ka dhënë ndonjë hollësi më shumë:
‘Po ju them: Domethënë vendosje të kufirit mes nesh dhe shqiptarëve…,’ –ka deklaruar presidenti serb duke iu përgjigjur edhe pyetjes se a nuk mendon se përcaktimi i kufirit nënkupton edhe njohjen e Kosovës:
‘Prisni, prisni, unë po ju pyes, së pari nuk mendoj se kjo nënkupton këtë, kurse nga ana tjetër pyetja ime për ju është: a mendoni se kështu mundemi edhe 100 vjet? Pra, për të gjitha kam kundërpërgjigje që është shumë e lehtë. A dëshironi të zgjidhni problemin ose jo? Dëshironi t’ua lëmë fëmijve tuaj dhe fëmijve tanë, dëshironi që ata nesër të shkojnë nëpër istikame? Unë nuk do të doja që fëmija im të shkojë në istikame!’
I pyetur se çfarë marrëveshje mund të arrihet me Kosovën, presidenti Vuçiq, thotë se e mira do të ishte që marrëveshja të jetë e pranueshme edhe nga serbët edhe nga shqiptarët:
‘Të kemi çfarëdo marrëveshje të cilën e pranojnë serbët dhe shqiptarët. Ajo sjell paqen. Ndryshe paqe nuk ka. Kuptonie këtë! Njerëz, më kuptoni dhe të gjithë silluni me përgjegjësi dhe ta kuptoni se vetëm kjo është e mundshme.’
Vuçiq me këtë rast ka folur edhe për realitetin në Kosovë, duke bërë thirrje për njohjen e tij:
‘E vërteta është se në Kosovë nuk është gjithçka shqiptare dhe e vërtetë është se në Kosovë nuk është gjithçka serbe dhe, është e vërtetë se duhet të arrijmë kompromis. Ai i cili nuk e kupton këtë do ta çojë Serbinë në tragjedinë më të madhe nga e cila do të dalim të mundur, të mundur më keq se kurrë më parë. Nëse njerëzit nuk e kuptojnë këtë, dhe po shikoj se nuk e kuptojnë, unë këtë nuk e kam problem, por që unë të bëj politikë që në të ardhmen Serbinë ta fus në tragjedi më të mëdha, këtë nuk e dua.’
Aleksandar Vuçiq në paraqitjen e tij të fundvitit ka thënë se nuk i frikësohet ushtrisë shqiptare dhe askujt tjetër dhe, në këtë shtrirje, ka folur për investimet në modernizimin e ushtrisë. Ai tha se vetëm për blerjen e avionëve ushtarakë janë dhënë gati një miliardë euro. /Klan Macedonia/