close

XHAFERI: NUK MBROJTA VELJANOVSKIN, POR KUVENDIN 

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në takimin e sotëm me gazetarë theksoi se në Parlament nuk kishte kushte që të votohet për marrjen e imunitetit të deputetit, për shkak se nuk kishte konkluzion nga Komisioni për Çështje të mandateve dhe emërimeve. Që kjo të mos ndodh në të ardhmen, siç vlerësoi Kryeparlamentari Xhaferi, me ndryshime në rregulloren e Kuvendit duhet të parashihet zgjidhja se si të veprohet në raste ku nuk ka një konkluzion të këtillë.

Edhe pas brifungut me gazetarë të kryeparlamentarit Talat Xhaferit, pak dikush e ka të qartë se çka ndodhi tre ditë më parë në seancën për heqjen e imunitetit te Trajko Veljanovskit.  Kryeparlamentari e komplikoi më shumë situatën me deklaratën e mbrëmshme në emisionin “200” ku tha se nuk e ka pasur ndërmend të shkojë në votim, për shkak se nuk ka pasur konkluzion nga Komisioni, dhe nuk ka pasur se për çka të votohet.

Por ideja e kreut të Kuvendit ishte e qartë atë natë. Pamjet e konfirmojnë se ai filloi ta lexoj skenarin, madje i thotë koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, se në bazë të rregullores duhet të shkohet në votim.

“45 minuta pauzë! Sipas rregullores kam të drejtë të kërkojë pauzë! Edhe unë në bazë të rregullores duhet të kaloj në votim
Më jepni pauzë! ” -Talat Xhaferi- Kryetar i Kuvendit.

Xhaferi gazetarëve u tha se është dashur ta largojë deputetin e opozitës nga foltorja, sepse kishte uzurpuar të njëjtë dhe për këtë shkak ka reaguar në mënyrë të tillë.

Në konferencën e parë të shtypit pasi nuk u votua për marrjen e imunitetit të Veljanovskit, Xhaferi doli dhe tha se seancën e ka ndërprerë për shkak të sjelljes së deputetit Muhamed Zekiri.

Deputeti i partisë së tij, Ejup Alimi si duket nuk ka qenë i informuar për planin e kryetarit të Kuvendit që të mos votohet. Ai ditën e nesërme, deklaroi se të gjithë deputetet e BDI-së kanë qenë gati të votojnë, përfshirë këtu edhe kryetarin.

Sa i përket deputetit Dimovski, për të cilin njësoj si për Veljanovskin nuk u votua në seancë plenare, tha se nuk është votuar për shkak se shumica nuk i ka pasur numrat.

Gazetarët nënvizuan faktin se kuorum me deputetet e VMRO DPMNE-së për të nisë seancën ka pasur, kurse e rikujtuan Xhaferin se nuk është obligimi i tij që të kujdeset se si deputetet do të votojnë. Xhaferi në këtë u përgjigj se ai duhet të kujdeset edhe për interesat e shumicës. /Furkan Saliu/