Fati i shumicës parlamentare në duart e Bashkimit Evropian. Kryeministri Zoran Zaev, thotë që nuk mund të garantoj se shumica do të jetë stabile, nëse shteti nuk merr datë për fillimin e negociatave. Lidhur me lajmin e fundit që vjen nga Berlini, se Maqedonia e Veriut po e humb edhe përkrahjen e Merkelit, Zaev tha bëhet fjalë për lajm të vjetër.
“E para, ai lajm është i vjetër. Unë besoj se mund të arrihet në qershor ose korrik. Tanimë kam thënë se kjo mund të ndikoj edhe në stabilitetin e Qeverisë. Porosia ime është shumë e qartë dhe fisnike. Deputetet i kemi siguruar se nëse i kryejmë reformat dhe nëse e zbatojmë Marrëveshjen e Prespës, Evropa do të shpaguaj. Nuk mund të garantoj shumicë parlamentare nëse Evropa nuk na rikthen mundin e bërë.” -deklaroi Kryeministri Zoran Zaev.
Javën e ardhshme, Zaev do të jetë mysafir i kancelares, Merkel, për të cilën kryeministri tha se ka merita të mëdha për Marrëveshjen e Prespës, për shkak se është përfshirë edhe në referendum.
Kryeministri disa herë me radhë po flet zëshëm se ekziston mundësia që ta kthej mandatin, e gazetarët e pyetën se a do të bisedojë me partitë tjera shqiptare nëse kjo ndodhë.
“Nëse vjen momenti që të kthehet mandati, atëherë ka më shumë opsione. Do të hapet edhe debati, e zgjedhjet të parakohshme janë opsion, por nuk janë opsion i mirë për ekonominë, kur kemi një moment, era po fryn në shpinën e Maqedonisë së Veriut që duhet ta shfrytëzojmë. E opsionet tjera e shohim se cilat mund të jetë… Tanimë kemi President i cili besoj që do ta jap mandatin dhe nuk do të humben muaj si më parë, e pastaj besoj që vet mandatari do t’i bëj të gjitha analizat.” –shprehet Kryeministri Zoran Zaev.
E derisa po pritet vendimi final për marrjen e datës, pritet edhe vendimi për rikonstruktimin. Sekretari i LSDM-së, Lupço Nikollovski, tha se ditëve në vazhdim do të dilet me vendime konkrete. /Furkan Saliu/