close
Vendi

ZAEV PËR ADMINISTRATORËT: KUSH NUK DËSHIRON TË PUNOJË, T’U FALËNDEROHEMI

00120.MTS.00_03_08_24.Still001

“RESPEKTOJ VENDIMIN E SHEQERINSKËS”


Drejtorëve të institucioneve shtetërore që rezistojnë në lidhje me bartjen e të punësuarve sipas Marrëveshjes kornizë, Kryeministri Zoran Zaev u bëri thirrje që t’u krijojnë kushte për punë të sapoardhurve ose të arsyetohen në qoftë se vendimi është i pazbatueshëm. Rreth 750 persona nga të punësuarit “kornizë”, të cilët për vite me rradhe kanë marrë paga, por realisht nuk kanë pasur asnjë obligim, tani janë shpërndarë në aparatin shtetëror, ndërsa rreth 350 të tjerë pritet që të shpërndahen. Zaev mohon se nënkryetarja e LSDM-së, Radmila Sheqerinska distancohet nga ai, por shton se udhëheqësia partiake ka nevojë për “freskim”.

Pjesa më e madhe, rreth 750 nga të punësuarit janë shpërndarë në administratën shtetërore, ndërsa pasi të përfundojnë formalitetet e obligueshme do të gjendet vend edhe për 350 të tjerë, shpreh bindjen Kryeministri.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Besoj se të të gjitha institucionet do ta zbatojnë vendimin. Dëshiroj të dërgoj mesazh te të gjithë drejtorët që rezistojnë – të mos rezistojnë, sepse realisht kanë nevojë dhe ata janë qytetarët tonë, secili ka mundësi të bëjë në mënyrë të ndershme punën e tij, përkatësisht të punojë. Në qoftë se dikujt nuk i punohet, qoftë prej atyre që barten tani ose që janë punësuar deri më tani, duhet t’i falenderojmë dhe le të shkojnë në shtëpi.”

I pyetur për situatën brenda LSDM-së, pas deklaratës së nënkryetares Radmila Sheqerinska se nuk do të kandidojë për të tretën herë për këtë pozitë të lartë, Zaev i mohoi pohimet se ajo distancohet prej tij.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Unë dhe Radmila dhe një përqindje shumë e madhe e udhëheqësisë jemi marrë vesh se duhet ta ripërtërijmë udhëheqësinë e LSDM-së. Këtë ia kemi borxh popullit tonë dhe socialdemokracisë. Tu japim shans edhe njerëzve të rinj, fytyrave të reja.”

Për marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje, përkatësisht për takimin e sotëm online në mes historianëve të të dyja palëve, nga rezultati i të cilit në mase të madhe varen negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në, Kryeministri përsëriti se “çdo hap i tyre do të jetë hap edhe për gjetjen e zgjidhjes së problemit me Bullgarinë”.  /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia