Thirrje partive të mbështesin ligjin për Prokurorinë Publike
Pushteti e bind opinioni se më në fund drejtësia po vjen…
“Kjo është kohë kur drejtësia do të vijë në skenë, kohë kur nuk do të kursehet askush në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Askush nuk është i privilegjuar dhe askush nuk do të amnistohet.” – tha Kryeministri Zoran Zaev.
E opozita e thotë të kundërtën…
“Derisa qytetarët po fundosen në skamje, ata po shtyn në borxhe të reja shtetin, kurse funksionarët të bashkuar në mafia, vazhdojnë me zhvatjet. Të nderuar, Maqedonisë i duhet drejtësi.” -shprehet Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së.
Pas zhvillimeve të fundit rreth ligjit për Prokurorinë Publike, Kryeministri iu drejtua opozitës, të cilët i rikujtoi për përgjegjësinë që e kanë.
“Jemi para lirimit final të drejtësisë nga kthetrat e regjimit që e lamë pas. Përgjegjësia tek ne politikanët në këtë luftë për shtete të së drejtës është shumë e madhe. Por përgjegjësinë më të madhe e ka partia që i solli shumë padrejtësi këtij vendi dhe Mickoski si njeri i parë i kësaj partie. Kjo është koha që t’ia shkaktojmë humbjen definitive “shtetit të kapur.” – deklaroi Kryeministri Zoran Zaev.
Kryeministri thotë se nuk do të kursehet askush, por disa çështje rreth rastit “Zhvatja” mbetën enigmë, si për opozitën, ashtu edhe për opinionin.
“Qytetarët ende nuk kanë përgjigje për memorandumin e bashkëpunimit të nëntorit të 2017-tës. Stefan Bogoev, si kryetar komune, ka nënshkruar memorandum për bashkëpunim me Bojan Jovanovskin, si kryetar i organizatës Bashkimi ndërkombëtar, ku në këshillin drejtues është babai i Stefanit, Vllado Bogoevski.” –vlerëson Naum Stoilkovski, Zëdhënës i VMRO DPMNE-së
Reagimi i Kryeministrit erdhi pas takimit të dytë mes grupe të punës, ku nuk pati asnjë lëvizje drejt kompromisit. Dallimet kryesore janë në vazhdimin e lëndëve që i ka hapur Prokuroria Speciale, si dhe për ardhmërinë e punëtorëve të PPS-së. /Furkan Saliu/