Gjatë dy javëve të ardhshme pritet që Ministria e Drejtësisë të formojë inspektoratin që do ta ndjek zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, kurse në përgatitje janë edhe ndryshimet në rregullativën tjetër ku do të inkorporohen dispozita nga ky ligj. Qeveria në seancën e mbrëmshme Kuvendit ia ka dërguar edhe propozimligjin për Agjencinë për Siguri Kombëtare, e cila për herë të parë nuk do të jetë nën ombrellën e MPB-së.
Rrumbullaksohet rregullativa për zbatimin e Ligjit për Gjuhët, me kërkesë të Ministrive që të propozojnë Inspektorat për zbatimin e tij dhe përfshirjen e një pjese të dispozitave në zgjidhje tjera ligjore.
“Qeveria në seancën e djeshme ngarkoi Ministrinë e Drejtësisë që në afat prej 15 ditëve të dorëzojë propozimligj për formimin e Inspektoratit për përdorimin e ligjit të gjuhëve, njëkohësisht qeveria i ngarkoi të gjitha institucionet gjatë përgatitjes së vulave ta respektojnë këtë ligj.” –thekson Muhamed Hoxha – Zëdhënës i Qeverisë.
Zëdhënësi Hoxha nuk kishte përgjigje se përse ende ka gabime drejtshkrimore gjatë përdorimit të gjuhës shqipe, si shembull në tabelat me emrin e ri të vendit, duke shtuar se Inspektorati i ri do të jetë i obliguar të reagojë nëse nuk zbatohet ligji. Në kuadër të reformave në sistemin e intelegjencës, sipas pritshmërisë së bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria i ka propozuar Kuvendit ligj për një trup të ri – Agjenci për Siguri Kombëtare, që nuk do të jetë në përbërje të MPB-së, e as që do të jetë e lidhur me agjencinë ekzistuese për kundërzbulim.
“Ky është një model që mundëson dekoncentrimin e plotë të fuqisë së shërbimeve të intelegjencës në vend dhe njëkohësisht pamundëson keqpërdorimin e tyre në të ardhmen.” – shprehet Mile Boshnjakovski – Zëdhënës i Qeverisë
Të punësuarit në trupin e ardhshëm tashmë nuk do të kenë autorizime policore, por do të jenë operativa që informacionet do t’i dërgojnë tek shërbimet përkatëse për përpunim. Drejtori i agjencisë së propozuar, do të zgjidhet me propozim të Kryeministrit.
Në këtë pako, qeveria propozon edhe formimin e trupit për koordinim të shërbimeve të intelegjencës si dhe ndryshime në rregullativën ekzistuese rreth Agjencisë për ndjekjen e komunikimeve dhe për punë të brendshme.
Me hapërimin e Maqedonisë në NATO përshpejtohet rrumbullaksimi i reformave ligjore në sistemin e sigurisë, ku për mangësitë e deritashme qartazi dëshmoi afera më e madhe e përgjimit nga viti 2015. /Klan Maqedoni/