Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje janë në prag të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor. Nesër është afati i fundit për certifikim e partive politike dhe koalicioneve parazgjedhore në KQZ.
Tash kur ka mbetur vetëm edhe një ditë për t’u regjistruar në KQZ-së partitë politike dhe koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizje Vetëvendosje kanë intensifikuar takimet për një marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Sot janë takuar sërish krerët e këtyre dy partive politike Isa Mustafa e Albin Kurti në një nga restoranet e Prishtinës.
Kryetarët e partive po punojnë që të finalizohet marrëveshja parazgjedhore, përkundër LDK-së që është partia më e madhe në vend dhe do t’i fitojë zgjedhjet vetë. Ne në politika sektoriale i kemi definuar dhe jemi pajtuar nuk kemi dallime, ne e kemi kandidaten tonë për kryeministre dhe dëshirojmë ta bëjmë kryeministre të Republikës. Liburn Aliu nga LVV thotë se LDK-ja po bën kushtëzime.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e mbyllur për media sa i përket koalicioneve parazgjedhore, deri më tash vetëm kanë paralajmëruar se do të ketë befasi edhe nga kjo parti. Shikuar nga praktikat e mëhershme partitë politike gjithmonë e lënë ditën e fundit për të treguar për marrëveshjet e koalicioneve parazgjedhore, duke shikuar veprimet e njëra-tjetrës paraprakisht. Ndërsa koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje partive politike që të respektohet barazia gjinore në lista zgjedhore.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen më 6 tetor pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/