close

ZGJEDHJET NË KOSOVË: SFIDOHET „LISTA SERBE“

Partitë rivale serbe koalicion të gjerë parazgjedhor


Partitë rivale serbe në Kosovë sfidojnë Listën serbe. Ata kanë krijuar një koalicion të gjerë parazgjedhor për të garuar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Disa parti politike serbe janë bashkuar për të garuar në një koalicion të gjerë në zgjedhjet 6 tetorit. Këtij koalicioni të cilit i prin Sllavisha Petkoviq i janë bashkuar partia e Nenad Rashiqit, ajo e Rada Trajkoviqit dhe Dragisha Miriqit. Qëllimi i tyre është që qytetarët serbë të kenë një alternativë më shumë karshi Listës Serbe e cila konsiderohet partia më e madhe serbe në Kosovë.

“Për shkak të mënyrës se si vepron Lista Serbe , jemi të detyruar të bashkohemi dhe dhe ti kundërvihemi kësaj partie me idetë tona. Marrëveshja është arritur kemi vënë principet e koalicionit dhe jemi të hapur për të gjithë që duan të na bashkohen.“-tha Sllavisha Petkoviq-Koalicion i gjerë i partive serbe.

Edhe Partia e Pavarur Liberale Serbe është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por ankohet në fushatën agresive të Listës Serbe.

“Siç e shihni fushata ende nuk ka filluar ndërsa ata (Lista Serbe) kanë filluar me kërcënime të kundërshtarëve politik. Ata kanë filluar të marrin madje edhe anëtarë të partive kundërshtare në partinë e tyre, dhe sikur kjo nuk mjafton ata po merren edhe me shpifje ndaj nesh. Kjo është mënyra në të cilën ata funksionojnë qe 5 vjet që kur kanë hyrë në politikë. Atmosfera edhe në këto zgjedhje duket se do të jetë e njëjtë. Ne nuk jemi organizatë mafioze e as kriminale. Kushdo të vij vjen e kushdo shkon. Është vullnet i tyre i lirë.”-deklaroi Sllobodan Petroviq, Partia e pavarur liberale serbe.

Lista Serbe do të marrë vendimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor në Kosovë, pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq . Konsultimet priten gjatë dhjetë ditëve të ardhshme në Beograd. Kjo parti e ka përkrahjen e Beogradit dhe direkt të presidentit të serbisë Aleksander Vuçiq. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/