close

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE 2019

Po zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë, Stevo Pendarovski, i partive në pushtet të udhëhequr nga social-demokrati, Zoran Zaev dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e VMRO DPMNE-së, që drejtohet nga Hristijan Mickoski.

Partitë në pushtet në vazhdimësi kanë bërë thirrje për dalje në votime për të vërtetuar siç kanë thënë kursin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Thirrje për dalje në votime kanë bërë edhe drejtuesit e VMRO DPMNE-së, për të dënuar siç kanë thënë politikat e gabuara të qeverisë aktuale dhe vendosjen e drejtësisë në vend.

Sikur në rrethin e parë, edhe këtë të diele, zgjedhjet po mbikëqyren nga një numër i madh i vëzhguesve vendor dhe ndërkombëtar. Numrin më të madh prej 1500 vëzhguesve e ka organizata joqeveritare “Most”, kurse 400 janë të huaj.

Në rrethin e parë, më 21 prill, në votime kanë dalë 41.67 për qind ndërsa Steve Pendarovski ka fituar me një epërsi të ngushtë prej rreth 4200 vota, respektivisht 322.58 vota apo 42,81 për qind të votave ndërsa kundërkandiatja e tij Gordana Siljanovska-Davkova 318.341 vota apo 42,25 për qind.

Në garë ishte edhe një kandidat shqiptar, Blerim Reka, që kishte fituar rreth 80 mijë vota. Pikërisht votat e tij, konsiderohen si vendimtare si për arritjen e pragut zgjedhor po ashtu edhe për fitoren e ndonjërit nga kandidatët maqedonas, të cilët edhe fushatën në rrethin e dytë e kanë përqendruar në tërheqjen e votuesve shqiptar.

Retorika e tyre ishte më e matur kundrejt shqiptarëve, në veçanti ajo e kandidates opozitare, Gordana Siljanovska e cila në vazhdimësi deklaronte se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, politike apo fetare.

Por, Stevo Pendarovski që ka mbështetjen e BDI-së dhe të disa partive tjera shqiptare në qeveri, thoshte se Siljanovska tregohet e matur vetëm se për tërheqjen e votave të shqiptarëve pasi ajo sipas kandidatit të partive në pushtet, ka dëshmuar se është për shtet etnocentrik.

Votimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milion persona të cilët mund ta realizojnë në 3512 vendvotime. Zgjedhjet do të jenë të vlefshme nëse në votime dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.