close

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE: PARTITË SHQIPTARE NË KËRKIM TË KANDIDATIT TË PRANUESHËM

VMRO DPMNE-ja vetë, LSDM-ja kërkon kompromis


Emri i profesorit, Denko Maleski, kandidat për president është opsion i mirë për BDI-në, por sinjale pozitive nuk po vijnë nga partitë opozitare. Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, do të përkrahte kandidat shqiptar, me qëllim që të dëshmohet forca e votës dhe politikës shqiptare në Maqedoni.

“Lëvizja Besa do ketë ose do përkrah kandidat shqiptar i cili do jete figurë mbi partiake dhe që do të mund të dëshmojë realisht peshën politike të votës se shqiptareve në zgjedhjet Presidenciale.”-deklarojnë nga Lëvizja Besa e Billall Kasamit.

Aleanca për Shqiptarët ende nuk e ka nisur debatin brendapartiak për këtë çështje dhe ende nuk e kanë vendosur se a do të kenë kandidat, apo do ta përkrahin dikë… Por për një gjë janë të sigurt, president si Ivanoni nuk i duhet shtetit.

“Presidenti i ardhshëm i Maqedonisë në asnjë mënyrë s’duhet t’i ngjasojë presidentit aktual Ivanov, i cili po shkel Kushtetutën e vendit duke mos nënshkruar ligjet qe i sjell Kuvendi, siç është ai i përdorimit të Gjuhëve. Maqedonisë i duhet një president, që do ta respektojë realitetin multietnik të vendit, si dhe të ketë orientim properëndimor!” -thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Debati në parti për presidencialet nuk është hapur ende edhe te Besa e Gashit.

“Ende nuk e kemi hap si debat në kryesi. Njëherë do të flasim për konceptin e pastaj për emra të përveçëm. Tash është herët për këso përgjigje.”- shprehen nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit.

Kryeministri Zaev, tha që do të dëshironte një kandidat i cili do të kishte përkrahjen e të gjitha partive, por edhe ata për këtë çështje do të bisedojnë në parti, menjëherë pas përfundimit të procesit të ndryshimeve kushtetuese. Për profesorin Maleski, ka mendim të mirë edhe kryeministri, por tha që ai duhet ta gëzojë përkrahjen e të gjithë partnereve të koalicionit, e jo vetëm të BDI-së.

E derisa LSDM-ja me partitë shqiptare dhe partitë tjera të koalicionit po mundohet të gjej kandidatin e duhur që do ta përkrahnin të gjitha etnitë, VMRO DPMNE-ja veçmë shpalli konkurs, ku i ftoi të gjithë personat që i përmbushin obligimet ligjore të aplikojnë në konkursin publik. E ata, kandidatin do ta zgjedhin vetë, në konventën ku do të marrin pjesë 550 delegatë të partisë. /Furkan Saliu/