close

ZGJEROHEN HETIMET KUNDËR JAKIMOVSKIT

Prokuroria Publike kërkon paraburgim për ish-Kryetarin e Komunës së Karposhit Stevco Jakimovski i cili dyshohet se me keqpërdorimin e detyrës zyrtare ka dëmtuar buxhetin e Komunës për thuajse një million euro. Ai sot është ndaluar dhe ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake.

Policia me kërkesë të Prokurorit Publik ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovksin, si pjesë e hetimeve të reja. Së bashku me Jakimovskin janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të punësuar në Komunën e Karposhit. Në akuzat e Prokurorisë Themelore Publike janë përfshirë edhe pesë persona të tjerë. Sipas zëdhënësit të MPB-së, Toni Angelovski, të akuzuarit kanë abuzuar me pozitën e tyre zyrtare.

‘‘Sipas informatave të dokumentuara nga hetimi, Stevçe Jakimovski – në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Karposhit, T.GJ në cilësinë e Shefit të Departamentit për Pasuritë e Paluajtshme dhe procedurën për shpronësimin e pasurive të paluajtshme në Sektorin për Çështje Ligjore të komunës, V.S. në cilësinë e bashkëpunëtorit të lartë në Njësinë për Zbatimin e Planeve Urbanistike të Sektorit për Urbanizëm në Bashkinë e Karposhit, M.T në cilësinë e një punonjësi të Departamentit për Planifikim Hapësinor dhe Urban në Sektorin për Urbanizëm në Bashkinë Karposh dhe R.D. në cilësinë e një punonjësi si ekzekutues në fushën e planifikimit arkitektonik në komunën e Karposhit, duke vepruar sipas kërkesave për vërtetimin e statusit ligjor të objekteve të vendosura në rrugën Ilindenska, në parcela kadastrale në komunën e Karposhit, në periudhën 2011-2017 kanë abuzuar me pozitën e tyre zyrtare dhe autoritetin dhe kanë tejkaluar kufijtë e kompetencave të tyre zyrtare.” tha Toni Angelovski Zëdhënës i MPB-së

Ndërkaq, menjëherë pas arrestimit të Jakimovskit ka reaguar me anë të një postimi në facebook, kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i cili theksoi se arrestimi i një udhëheqësi të një partie opozitare një muaj para votimit në zgjedhjet presidenciale nuk është gjë tjetër përveç se presion brutal politik si dhe shpërndarje e frikës dhe panikut të madh të Zaevizmit që po humbet.

“Ajo që nuk ka asnjë aksion kundër krimit të njerëzve në pushtet, kurse vazhdojmë të mbesim shtet i robëruar në fund të Evropës, tregon se ky pushtet është kriminel dhe barbar. Siç po shihet fushata e Zaevizmit janë arrestime, por në të njëjtën kohë po shihet se Zaev po humb në mënyrë dramatike në mesin e qytetarëve. Nuk ka më frikë. Nuk mund të arrestoni aq sa do t’ju fitojmë”, ka shkruar mes tjerash Mickoski pas arrestimit të Stevço Jakimovskit.

Përndryshe, ish-kryetari i komunës Stevço Jakimovski edhe vitin e kaluar në muajin gusht ishte arrestuar. Policia financiare tek Jakimovski bëri hetime në lidhje me tre tenderët, prej të cilave dy për objektet e komunës dhe një për sheshin “Zhdanec”. /Klan Maqedoni/