close

ZIBERI: RRETHI I DYTË DEMOTIVUES PËR SHQIPTARËT

Analisti politik, Naser Ziberi, duke komentuar rrethin e parë zgjedhor dhe atë të dytin që pritet të mbahet më 5 maj, deklaron se fakti që kandidati shqiptar do të mungojë në rrethin e dytë e demotivon votuesin shqiptar për t’i injoruar zgjedhjet. Migrimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë në vendet e Evropës Perëndimore, mosndryshimet në strukturat qeverisëse politike në RMV në njëfarë mënyre kanë deprimuar votuesin shqiptar, thekson Ziberi.

Dy faktorë kanë ndihmuar në daljen kaq të dobët të votuesit shqiptar në zgjedhje, deklaron analisti politik, Naser Ziberi. Sipas tij, fakti që në rrethin e dytë zgjedhor nuk do të mund të kandidojë shqiptar, demotivon votuesin shqiptar për një mobilizim më të madh.

‘Dalja në zgjedhje në mënyrë permanente te votuesit shqiptar është në rënie e sipër. Edhe në zgjedhjet parlamentare, edhe në zgjedhjet lokale, po të bëhet një krahasim me daljen e qytetarëve dhe votuesit maqedonas, te shqiptarët ka një trend rapid të rënies dhe intensitetit të daljes në zgjedhje që supozoj se është rezultat i dy faktorëve: migrimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë në vendet e Evropës Perëndimore dhe e dyta, me demotivimin e tyre, për shkak të mosndryshimeve të strukturave qeverisëse politike në RMV dhe në njëfarë mënyre votuesi shqiptar është i deprimuar.’ -shprehet Naser Ziberi-Analist Politik.

Ziberi thekson se është e kuptueshme që dy kandidatët që shkojnë në rrethin e dytë zgjedhor  të pretendojnë të marrin votat e kandidatit që ra nga gara. Prandaj ai apelon që qytetarët, e sidomos atë shqiptarë, në rrethin e dytë të dalin dhe të votojnë sipas bindjes së tyre për konceptin politik që ofrojnë kandidatët.

‘Qytetarët të përkatësohen jo sipas përkatësisë partiake, por sipas bindjes së tyre për konceptin politik që ofrojnë kandidatët, për vizionin për të ardhmen që duhet të ndërtojë shteti dhe për funksionin që do ta ushtrojë presidenti i ardhshëm. Nga këto pikëpamje duhet përcaktuar vizioni i votuesit shqiptar në të ardhmen dhe ta mbështesë platformën të cilën e ndjen më të afërt, edhe për proceset eurintegruese, edhe për çështjet e brendshme të marrëdhënieve ndëretnike, siç është përdorimi i ligjit të gjuhës shqipe, Marrëveshja e Ohrit dhe kohë-habitacioni qeveri-president.’ –deklaron Naser Ziberi-Analist Politik.

Ziberi poashtu shprehet i bindur se rezultati i ngushtë i rrethit të parë zgjedhor, është i shëndetshëm për demokracinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe siç thekson, do ta mobilizojë dhe motivojë bazën elektorale. Ai gjithashtu deklaron se edhe pse kandidatja e opozitës Siljanovska gjatë fushatës parazgjedhore ka deklaruar se është legaliste megjithatë pritet të ndryshojë vendim dhe të rrezikojë perspektivën euroatlanike të Maqedonisë së Veriut dhe aq më tepër Marrëveshjen e Prespës. Ndërsa, siç vijon më tej analisti politik, Ziberi, kandidati Pendarovski, ka mbështetur fuqishëm Marrëveshjen dhe proceset euroatlantike dhe nuk vihet në dyshim perspektiva e Maqedonisë në eurointegrime. /Blerona Jakupi/