close
Sport

ZIDANE ME PUSHTET ABSOLUT KTHEHET TE REALI

Zinedine-Zidane

Ka firmosur kontratë deri më 2022


Zinedine Zidane edhe zyrtarisht do të drejtojë Realin e Madridit për pjesën e mbetur të sezonit, por edhe për 3 sezonet e ardhshme deri në vitin 2022. Zidane vendosi të marrë sërish Realin e Madridit në drejtimin e tij pas 284 ditësh. Në etapën e tij të parë në stolin e kësaj skuadre, ai arriti 104 fitore, 29 barazime dhe 16 humbje, në 149 ndeshje të luajtura. Por, më e rëndësishmja është se me Zidane në stol, Reali i Madridit fitoi 3 tituj radhazi në Ligën e Kampionëve. Njëlloj sikurse çuditi me lamtumirën e tij 10 muaj më parë, Zidane ka surprizuar edhe në rikthimin e tij te Real, aq më tepër kur nuk ka mohuar shanset e rikthimit të legjendës Kristiano Ronaldo.

“Është një ditë speciale për të gjithë. Jam shumë i lumtur që rikthehem në shtëpi. Dua të punoj, për t’i mundësuar skuadrës që të rikthehet aty ku meriton. Ndjesitë janë pozitive. Besoj se klubi ka nevojë për një ndryshim, pasi fitoi gjithçka”, ishin fjalët e para të trajnerit të ri të Los Blancos.

“Pas tetë muajsh kam dëshirë të rikthehem të bëj punën time. Është një përgjegjësi e madhe. Kam luajtur dhe fituar me këtë fanellë. Nuk i harroj fitoret e arritura, por edhe gabimet e bëra. Kam qëllim të jap gjithçka për të bërë më të mirën me këtë skuadër. Kemi 11 ndeshje për të luajtur në kampionat dhe duhet ta mbyllim mirë sezonin”, vijoi Zidane.

Vlen të theksohet se këtë sezon Reali është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe Kupa e Mbretit, ndërsa është jashtë luftës për titullin kampion të Spanjës dhe objektivi i vetëm i Zidane është renditja në katërshen e parë dhe përgatitja për sezonin e ri. /Agjencitë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia