Pas 17 vitesh duke luajtur në skuadrat europiane ylli i futbollit brazilian, lojtari më trofe i të gjitha kohërave, Dani Alves rikthehet në Brazil tek skuadra e Sao Paolos. Klubi bardhekuq ka zyrtarizuar lajmin ndërsa ka bërë të ditur edhe se Dani Alves ka firmosur një kontratë për 3 vite e gjysmë deri në 30 dhjetor të vitit 2022, periudhë në të cilën mbrojtësi i krahut të djathtë do të jetë plot 39-vjeç gati për të varur këpucët në gozhdë.
Presidenti i klubit Paulistë Carlos Augusto de Barros ka shprehur gjithë kënaqësinë e tij për afrimin e një lojtari kaq të rëndësishëm në faqen e klubit duke nënvizuar se i kishte premtuar Dani Alvesit se një ditë do të luante për Sao Paulon, skuadrën që dashuron dhe e mbajti premtimin, pasi lojtari më i mirë i Copa America 2019-të, tashmë është pjesë e Sao Paulos dhe do të tentojë të fitojë të tjerë trofe me këtë skuadër. Dani Alves me ekipet Sevilla, Barcelona, Juventus dhe PSG, ka fituar plot 40 trofe. Sao Paulo do të jetë skuadra e dytë e Dani Alves pas Bahias skuadrës së vendlindjes së tij ku hodhi hapat e parë në karrierë. /Agjencitë/