close

ZYRTARIZIMI I GJUHËS SHQIPE: SULEJMANI-E SHOHIM VETEN PJESË NË ZBATIM

Akoma zyrtarizim jo i mirëfilltë!


Dekani i filologjikut në UT, Fatmir Sulejmani, deklaron se si universitet e shohin veten pjesë në zbatimin e ligjit për gjuhët sepse siç deklaroi ai, në qoftë se institucionet do të jenë të interesuara që ta implementojnë në mënyrë të rregullt këtë ligj, ata do të detyrohen që të punësojnë studentët më të mirë dhe më profesionist. Kjo gjë sipas tij, krahas të tjerave do të zbusë edhe papunësinë në vend.

‘Pas miratimit të ligjit për gjuhët, në Maqedoni do të ketë nevojë çdo institucion që të ketë lektorë, përkthyes dhe profesionistë të tjerë që e njohin standardin e shqipes, që do të japin kontributin e tyre në të gjitha sferat ku vijnë në shprehje gjuha shqipe dhe drejtëpërdorimi i saj. Meqë bëhet fjalë për punësime në të gjitha institucionet e vendit, ndoshta do të zbutet kjo papunësi e madhe e cila 2-3 vitet e fundit në veçanti, po I zbraz vendbanimet shqiptare.’ Fatmir Sulejmani – Dekan i Filologjikut në UT.

Duke folur për sfidat e pas miratimit të ligjit, Sulejmani deklaron se të njëjtat mund të shkaktohen nga pushteti maqedonas, që siç u shpreh ai, nuk është i disponuar që gjuha shqipe të zërë vendin e merituar.

‘Nëse do të ketë sfida, dua të shpresoj që jo, ato probleme do t’i shkaktojë vet pushteti, para së gjithash, pushtetarët maqedonas që nuk janë të disponuar që shqipja të zërë vendin e merituar. Ne të gjithë e dimë, kjo natyrisht nuk është një zyrtarizim i mirëfilltë, nuk e ka akoma statusin e maqedonishtes, është një ndryshim i dukshëm dhe ne duhet të jemi të lumtur që erdhëm në këtë shkallë.’  shprehet Fatmir Sulejmani – Dekan i Filologjikut në UT.

Deri më tani, nuk ka informacione se sa punësime të reja do të ketë në Agjenci dhe në Inspektorat të cilat do të formohen në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Në pikën 3 të nenit 18 të ligjit në fjalë theksohet nevoja për punësime të reja, ku përkrah përkthyesve të autorizuar gjyqësorë, pritet të punësohen edhe gjuhëtarë dhe filologë të diplomuar në gjuhën shqipe si dhe lektorë të licensuar. /Blerona Jakupi/