close

Video

Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) HIMNI I VENDIT SHKAKTOI REAGIME

Lëshimi i një strofe të himnit, ku numërohen personazhet historike dhe revolucionarët, nxiti reagime ndaj këngëtares Tamara Todevska, por edhe akuza të ndërsjella në mes politikanëve. Ambasada Amerikane, në manifestimin e së cilës në Ditën Kombëtare – 4 korriku, u këndua version i shkurtuar, sqaron se bëhet fjalë për “lëshim të paqëllimshëm në momet emocional”. Tamara kërkoi ndjesë, ndërsa pushteti dhe opozita po sulmojnë njëra-tjetrën në moment kur vendi realisht po negocion me Bullgarinë fqinje rreth asaj se trashëgimi historike e cilit shtet është revolucionari Goce Dellçev?

Mbrëmë para qindra të ftuarve në manifestimin e Ambasadës amerikane, për Ditën e Pavarësisë – 4 korrikun, këngëtarja Tamara Todevska nuk i këndoi katërrreshta të himnit zyrtar të Maqedonisë, edhe atë pikërisht ku përmenden revolucionarët Goce Dellçev, Pitu Guli, Dame Gruev, Jane Sandanski…

Por, version të këtillë të shkurtuar të himnit Tamara ka kënduar edhe më parë:

Nikoqiri i ngjarjes, Ambasada Amerikane menjëherë sqaroi se bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm.

“SHBA-të e respektojnë traditën, historinë, heronjtë dhe të ardhmen e mikut, partnerit dhe aleatit tonë – Maqedonisë së Veriut. E kuptojmë se në momente emocionale mund të ndodhin gabime të paqëllimshme. I falënderojmë këngëtarët për interpretimet e tyre të shkëlqyeshme mbrëmë.” -deklarojnë nga Ambasada e SHBA-ve.

Pasoi edhe kërkimfalja për lëshimin e bërë edhe nga këngëtarja Todevska, përmes rrjetit social Fejsbuk.

“Më lejoni që nga thellësia e zemrës sime t’u kërkoj falje për gabimin e djeshëm. Nuk ekziston nder më i madh për një artist se sa këndimi i himnit kombëtar dhe pikërisht për këtë arsye e pranova ftesën nga ambasada e SHBA-ve. Nuk ka fjalë me të cilat mund ta përshkruaj pikëllimin tim për lëshimin që e bëra gjatë këndimit të himnit.” -shprehet në rrjetin social fejsbuk këngëtarja Tamara Todevska.

Por, opozitarja VMRO-DPMNE në versionin e shkurtuar të himnit sheh “ kënaqësi për politikat e gabuara të qeverisë”.

“Si duket interpretimi i himnit nga Tamara Todevska ishte një mënyrë që të kënaqen politikat e gabuara të Zoran Zaev, të krijuara në periudhën e kaluar në llogari të interesave shtetërore dhe kombëtare, këtë herë në llogari të miqësisë maqedono – amerikane.”-deklaroi Naum Stoillkovski, VMRO DPMNE.

Gabim i paqëllimshëm – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

“Mund të bëhet një lëshim, himni i RMV-së këndohet çdo ditë, çdokund, dhe kjo vërteton se bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm”. thekson Kryeministri Zoran Zaev.

Shkalla e ndjeshmërisë rreth çështjes së revolucionarëve nga fillimi i shekullit të 20-të, të cilët edhe Maqedonia edhe Bullgaria i konsiderojnë si pjesë e historisë së tyre, është ngritur për shkak të pengesave në të cilat hasi komisioni i përzier për tejkalimin e dallimeve në librat e historisë, në pajtim me Marrëveshjen e nënshkruar për marrëdhënie të mira fqinjësore midis dy vendeve. Derisa për maqedonasit Goce Dellçev është pjesë e luftës dhe rilindjes maqedonase, bullgarët e konsiderojnë si bullgar dhe pjesë të historisë dhe kulturës së tyre. Nga Sofja zyrtare nuk përjashtohet që kjo çështje të pasqyrohet edhe në pritshmëritë e Maqedonisë për fillim të shpejtë të negociatave me Bashkimin Evropian, për çka të gjitha vendet anëtare të organizatës, mes të cilave edhe Bullgaria, duhet të japin dritë jeshile. /Verica Dimitrijevska/

 

read more
Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) SHPALLEN REZULTATET E MATURËS SHTETËRORE

Sot janë shpallur rezultatet e maturës shtetërore, në shkollat e mesme dhe në internet. Tash për tash nuk ka një ranglistë të shkollave më të suksesshme, por do të publikohet më vonë – thonë nga Inspektorati shtetëror i provimeve. Tradicionalisht pjesa më e madhe e 15 mijë maturantëve në Maqedoni, ardhmërinë e tyre e shihin në fakultete.

Traditë është që rezultatet nga matura shtetërore të publikohen në hyrjet e shkollave të mesme, ku çdo nxënës përveç emrit të tij do ta shoh edhe suksesin sipas lëndëve të caktuara. Por brezat e lindur në shekullin 21, në vend që t’i kërkojnë para dyerve të shkollave, tabelat së pari i kërkojnë në internet në ueb-faqen matura.gov.mk. Para Gjimnazit Josip Broz Tito në Shkup sot nuk kishte nxënës. Por edhe ata që ishin refuzuan të prononcohen.

Ministri i Arsimit Arbër Ademi dhe Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve – thonë se nxënësit këtë vit kanë treguar sukses më të mirë se vitet e kaluara.

“Rezultatet e maturës shtetërore tregojnë përmirësime në krahasim me vitin 2017 dhe 2018. Një rezultat i këtillë i detyrohet vizitës së koordinatorëve sipas lëndëve që kanë kaluar nëër shkollat e mesme para maturës, duke i njoftuar për mënyrën e përgatitjes së testit.’- shprehet Lidija Gjoshevska, Qendra shtetrore e provimeve.

Dallimet në mënyrën e marrjes së pikëve, në testin e biologjisë, në versionet maqedonisht dhe shqip, është gabim teknik, për të cilën në kohë kemi reaguar – siguron Gjoshevska.

“Është bërë një gabim teknik. Kur ndodhi unë menjëherë lëshova një shkresë deri tek të gjitha mediat dhe në ueb-faqen duke thënë se kjo nuk do të merret parasysh. Menjëherë është bërë korrigjimi teknik.” –tha Lidija Qendra shtetrore e provimeve.

Krahas optimizmit për rezultatet e provimeve, sukseset e nxënësve jashtë vendit në testet ndërkombëtare nuk janë gjithaq të kënaqshme. Testi ndërkombëtar PISA në vitin 2015 kishte ranguar nxënësit e shkollave të mesme të vendit në fund të listës. Në vitin 2018 madje 70% e nxënësve kanë treguar rezultate nën nivelin 1 në matematikë dhe lexim. Nivelet më të larta 5 dhe 6 në fushën e shkencës dhe leximit e kanë arritur vetëm 0.2% e nxënësve të shkollave të mesme. /Biljana Georgievska/

 

 

read more
RajoniVideo

(VIDEO) ZYRTARËVE TË BEOGRADIT U NDALOHET VIZITA NË KOSOVË

Kosova ua ka ndaluar zyrtarëve të Serbisë që të vizitojnë Kosovën. Ministria e Jashtme është arsyetuar se këtë veprim e ka ndërmarrë pas provokimeve e sjelljeve që po vijnë nga ky vend.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë. Vendim është marrë për shkak të kërcënimeve, inskenimeve në veri, e çështjeve tjera ka shkruar në Facebook këshilltari i ministit Pacolli, Jetlir Zymberaj.

Sipas tij janë të pafalshme përpjekjet e fundit të Beogradit për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të tyre.

Ky vendim i Kosovës vjen derisa ende është në fuqi taksa e vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe edhe përkundër reagimeve të shumta për ta hequr atë.  Analisti Imer Mushkolaj e quan të ngutshëm, pasi që adresa e parë sipas tij do të duhej të ishte Brukseli.

Është vendim i gutshëm pasi është situatë shumë e brishtë. Kur të gjithë mendojnë se Kosova do duhet të tregojë vullnetin për bashkëpunim reciprok, pavarësisht që Serbia në shumë raste nuk është treguar e gatshme të bashkëpunoj. Ai thotë as ky veprim i institucioneve të Kosovës nuk do të ndikojë në ndryshim e qasjes së Beogradit karshi Kosovës.

Nuk beoj se do të rregulloj diçka në marrëdhënie, por do të bëjë edhe më të papërshtatshëm komunikimin mes të dyja vendeve. Menjehërë pas këtij vendimi të Kosovës ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daciq sipas të cilit ky vendim i Prishtinës zyrtare është një shuplakë për Beogradin dhe Bashkimin Evropian i cili po hesht në gjithë këto masa jocivilizuese të Kosovës ndaj Serbisë. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/

 

 

 

 

read more
Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) MICKOSKI THOTË SE PO NDIQET, MPB-ja PËRGËNJESHTRON

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një prononcim për median maqedonase ka drejtuar akuza në adresë të Ministrisë së Brendshme se po ndiqet nga struktura të kësaj Ministrie. Ai madje potencon se skenari i ardhshëm mund të jetë arrestimi i tij. Këto pohime janë përgënjeshtruar nga MPB-ja.

VMRO-DPMNE është e gatshme të shkojë në zgjedhje në çdo kohë, por ata që i ikin përballjes janë pikërisht funksionarët në pushtet, të cilët kanë frikë se duhet të përgjigjen për krimin dhe korrupsionin, ndërsa duke ikur nga pasojat janë të gatshëm t’u kundërvihen të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata. Kështu ka deklaruar, në një intervistë për median maqedonase, kreu i opozitës Hristijan Mickoski duke shtuar se, në periudhën e ardhshme pret një skenar të arrestimit të tij, pasi siç ka potencuar, po ndiqet nga struktura të MPB-së.

“Jam i vetëdijshëm se mund të vijë edhe deri te ajo. Kam biseduar me familjarë të mi, se nga Zoran Zaev dhe nga ata rreth tij mund të pritet gjithçka, mund të pritet edhe që të vijnë të më arrestojnë. Kjo le të jetë apel për ata persona që rrotullohen rreth meje, një njësi speciale e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me arsyetimin se janë këtu që të mbikëqyrin oborrin e shkollës, që është në afërsi të shtëpisë sime. Unë jam i gatshëm dhe nuk ka asnjë dilemë se e di cili është qëllimi i kësaj qeverie despotike.” -tha Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Këto supozime janë përgënjeshtruar nga MPB-ja duke shtuar se lideri i VMRO-DPMNE-së, me kërkesë të tij, nga viti i kaluar, ka sigurim nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme. /Klan Macedonia/

 

read more
Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) PENDAROVSKI KA NËNSHKRUAR VENDIMIN PËR RIEMËRIMIN E ARM-SË

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka nënshkraur vendimin për riemërimin e Armatës së Maqedonisë. Emri i ri do të jetë Armata e Maqedonisë së Veriut.

Armata e Maqedonisë së Veriut është emri i ri i ushtrisë së vendit. Presidenti Stevo Pendarovski ka njoftuar se dje ka nënshkruar vendimin për riemërim. Kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme Armata duhet të furnizohet me uniforma që do të përmbajën emrin e ri. Ndryshe, rreth mosndryshimit të shkurtesës ARM, muajin e kaluar në një takim të përfaqësuesve të Armatës së Maqedonisë dhe NATO-s kishte reaguar Greqia.

“Dje nënshkrova dekretin për mbishkrimet në uniformat e armatës. Tash e tutje do të jetë Armata e Maqedonisë së Veriut. Do të thotë, ka përfunduar edhe kjo pjesë teknike dhe në periudhën e ardhshme furnizimet do të bëhen me mbishkrimet e reja.”- tha Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski.

Presidenti Stevo Pendarovski, gjatë vizitës në kufirin jugor dhe qendrës transitore për pranimin e migrantëve, ka deklaruar se pjesëtarët e armatës nuk do të tërhiqen nga kufiri jugor. Sipas tij, aktualisht nuk ka rrezik për valë migrantësh, kurse vlerësimet e BE-së kanë treguar se Armata është e gatshme të përballet me sfida të këtilla eventuale. /Klan Macedoni/

 

read more
RajoniVideo

(VIDEO) BËRNABIQ: ‘SKANDALOZ’ MOSREAGIMI I SHBA-së DHE BE-së

Kryeministrja serbe kritikon marrëveshjen Tiranë-Prishtinë


Pas nënshkrimit në Tiranë të Marrëveshjes ndërministrore mes Shqipërisë e Kosovës për bashkim të përfaqësive diplomatike e konsullore dhe për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme, ka reaguar kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Ajo e ka cilësuar si skandaloz edhe mosreagimin e Uashingtonit dhe të Brukselit.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, trasmeton Klan Macedonia, e ka cilësuar si skandaloze marrëveshjen e sapofirmosur ndërministrore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo i tha televizionit PINK se është e habitur edhe nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar ndaj paralajmërimit të Tiranës e Prishtinës zyrtare për veprim të përbashkët diplomatik dhe siç tha, politikën e jashtme të përbashkët:

‘Është e tmershme, është e tmershme. Është skandal që ende nuk kemi pare asnjë reagim zyrtar as të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, as të Bashkimit Evropian. Kjo nuk është naive, kjo është tejet serioze,’– tha kryeministrja serbe duke varur shpresën tek shefi i ri i politikës së jashtme, kryediplomatit spanjoll, vendi i të cilit nuk e ka njohur Kosovën.

Ana Bërnabiq, pas takimit me Eliot Engel, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, tha se ka përshtypjen se nuk pritet për së shpejti që të vazhdojë dialogu mes Prishtinës e Beogradit. Megjithëse ritheksoi qëndrimin se dialogu duhet të zhvillohet nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian, ajo la të hapur mundësinë që në lehtësimin e tij të përfshihet edhe administrata amerikane, por edhe, sikurse nënvizoi, vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. /Klan Macedonia/

 

read more
Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) ZAEV: NATO TA KREMTOJË 70-VJETORIN ME 30 VENDE ANËTARE

Maqedonia e Veriut është e mirë se ardhur si vendi i 30-të i NATO-s dhe shpresoj se integrimi i plotë mund të ndodh në Samitin e Aleancës në Londër kur do të shënohet 70-vjetori i themelimit të NATO-s. Kështu ka deklaruar Zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për sfida të Sigurisë Antonio Misiroli gjatë një takimi me Kryeministri Zoran Zaev. Zaev ka rikujtuar se deri më tani njëzet vende anëtare të NATO-s kanë ratifikuar protokollin aderues, kurse në disa vende procedura e ratifikimit është në vazhdë e sipër.

“Shpresoj se procesi do të kompletohet deri në dhjetor të vitit 2019 kur Aleanca do ta kremtojë 70 vjetorin e ekzistimit me 30 vende anëtare që do të jetë një mesazh i Aleancës për politikat e dyerve të hapura për vendet tjera që kanë aspirata të këtilla. Anëtarësimi në NATO është plotësimi i qëllimeve strategjike së bashku me integrimin në Bashkimin Evropian.” -tha Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Këto komente kreu i qeverisë së Maqedonisë së Veriut i bëri gjatë prezantimit të Digjitalizimit të sistemit për menaxhim me kriza në organizim të Qendrës për ballafaqim të krizave dhe NATO-s, që ka financuar instalimin e të ashtuquajturit Sistemin Komandues të brezit të ardhshëm ku nga viti i ardhshëm pritet koordinimi përmes platformës së vetme të internetit, që në mënyrë më efikase t’u përgjigjen sfidave siç janë tërmetet, zjarret, përmbytjet apo fatkeqësitë tjera natyrore. /Klan Macedonia/

 

read more
Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) DIGJITALIZOHET E SISTEMI PËR MENAXHIM ME KRIZA

Policia, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë me platformë të përbashkët për koordinim


Të gjitha njësitë të cilat mund të ndihmojnë në raste të zjarreve, vërshimeve, tërmeteve  ose fatkeqësive tjera, nga viti i ardhshëm do të koordinohen në mes vete përmes platformës në internet, për reagim sa më të shpejtë dhe më efikas. NATO e financon instalimin e të ashtuquajturit “Sistemi Komandues i Brezit të Ardhshëm”, ndërsa trajnimi për punë me të ka filluar në Qendrën për menaxhim me kriza të Maqedonisë. Por, drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku pranon se duhet të bëhet rinovimi i resurseve – automjeteve të zjarrfikësve, pajisjet dhe ekipimi kadrovik.

Shërbimet urgjente për reagim të shpejtë gjatë zjarrit, vërshimit, tërmetit ose situatë tjetër krize, kah fundi i vitit 2020 do të jenë të bashkuar në platformën e përbashkët digjitale që të munden në mënyrë më efikase të koordinohen dhe të ndihmojnë. Softueri i krijuar në “Laboratorin Linkoln”, në Institutin për teknologji në Masaçusets të SHBA-ve, do të bashkojë edhe institucione të tjera, për shkëmbim të informacioneve.

“Ideja e këtij softueri është që të krijojë platformë në të cilën do të kenë qasje të përbashkët të gjithë, dhe do të zhvillojnë mënyra për shpërndarjen e informacioneve, të cilat zakonisht nuk dinë t’i shpërndajnë. Harta, video materiale dhe infromacione të tjera, përmes teknologjisë moderne dhe përmes internetit. Kjo rezultoi si shumë e seksesshme në SHBA, ndërsa ky sistem u pranua edhe në Austrtali, ku gjithashtu ka fatkeqësi të mëdha, sidomos zjarre.” tha Gregori Hogan, Universiteti Masaçusets, SHBA.

Mbështetja financiare për këtë projekt vjen nga NATO, ndërsa trajnimet i realizon Qendra për menaxhim me kriza, ku me platformën tanimë janë njoftuar rreth 500 zyrtarë vendas.

“Po përmirësohet i gjithë sistemi për menaxhim me kriza me teknologji moderne, duke iu falënderuar NATO-s, e cila në këtë mënyrë tregon se nuk është vetëm Aleancë për siguri, por është Aleancë në të cilën shpresojmë se së shpejti do të bëhemi anëtarja e 30-të, e cila kujdeset për sigurinë e qytetarëve. Duke qenë se me këtë sistem do të mbulohet i tërë shteti, edhe ne si Qendër për menaxhim me kriza bëjmë trajnime në nivel lokal për atë si duhet të zbatohet ky sistem.” –deklaroi Agron Buxhaku, Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Në kohë reale, shërbimet e zjarrfikësve, ndihma e shpejtë, policia, Pyjet e Maqedonisë, Qendra për menaxhim me kriza, por edhe institucionet tjera do të mund të ndjekin ku janë automjetet dhe njerëzit, deri në çfarë shkalle është përhapur kriza, dhe çfarë duhet të jetë përparësi. Por, për efikasitet të vërtetë të sistemit do të duhet të ekipohen deri në fund shërbimet vendase, me automjete të reja dhe pajisje për shuarjen e zjarreve.

“Edhe unë nuk jam i kënaqur me gjendjen, por ne jemi vend me burime të kufizuara dhe mendoj se me insistimin tim dhe me bisedë me kryeministrin, pak pra, duhet të diskohet pak më shumë në Qeveri për mbështetje më të madhe financiare të Qendrës për menxhim me kriza, dhe për aktorët tjerë”. –vlerëson Agron Buxhaku, Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Qëllimi i projektit i mbështetur nga NATO, në mes tjerash, është që të mos përsëriten ose të zvogëlohet dëmi nga fatkeqësitë, siç ndodhi para tre vitesh kur vërshimet në rrethinën e Shkupit që morën 23 jetë njerëzish, ose para dy vitesh në rrethinën e Makedonski Brod, kur për shkak të reagimit të vonuar dhe sporadik u dogj një sipërfaqe e madhe e pyjeve.

 

read more
Top LajmeVendiVideo

(VIDEO) TEMPERATURAT E LARTA, RREZIK NGA ZJARRET

Territori i Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga një valë tropikale dhe tempartura të larta që do të arrijnë deri në 40 gradë, derisa indeksi UV do të jetë 9. Siç njoftojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometereologjike, i gjithë territori do të jetë nën të ashtuquajturën fazë e verdhë alarmuese për temperatura të larta. Por në këto raste, të shumta janë edhe paraqitjet e zjarreve. Nga NJTKZ – Tetovë apelojnë që qytetarët të rrisin kujdesin.

Me rritjen e temperaturave dukshëm janë rritur edhe rastet e zjarrit, sidomos në ambiente të hapura, vendbanime dhe makina, theksojnë nga Njësiti Territorial Kundër Zjarrit – Tetovë.

Sipas Uka Alitit, arsyeja kryesore pwr paraqitjen e zjarreve është moskujdesi që tregohet nga ana e qytetarëve.  Ai këtu thekson se ndër të tjerët, kujdes të veçantë duhet të tregojnë bujqërit me përdorimin e makinerive, pasi që është edhe periudha e korrje-shirjeve dhe gjasat e paraqitjes së zjarreve në ambiente të hapura janë të mëdha.

‘Faktor kryesor për paraqitjen e zjarreve fatkeqësisht është faktori njeri. Shpërthimi i zjarreve vjen nga pakujdesia e qytetarëve. Bujqit gjithmonë pas korrjes së drithit, mbetjet që i lënë nëpër fusha i djegin duke mos menduar se zjarri në këto temperatura të larta ku të njëjtat i ndihmojnë zjarrit që të zgjerohet dhe flakët e zjarrit të marrin kahje të pakontrolluara.’ –deklaroi Uka Aliti i NJTKZ.

Pasi që është periudha që qytetarët shkojnë në pushime dhe mërgimtarët kthehen në vendlindje, Aliti apelon që të kihet kujdes me fikjen e aparaturave të caktuara në shtëpi. Bujqit të mbajnë me vete gjithmonë aparat kundër zjarrit dhe vozitësit të kenë kujdes me makinat dhe të mos shkaktojnë vonesa për kalimin e makinave të njësitit për të intervenuar në kohë në raste të fatkeqësive, porosit ndër të tjera Aliti.

“Do apeloja tek të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm, të bëjnë kontrollimin e aparaturës që anë në shtepitë e tyre, se si i lënë pasi që shkojnë me pushime, të bëjnë kontrollimin e automjeteve të tyre.” shprehet Uka Aliti i NJTKZ.

Nga fillimi i këtij viti, NjTKZ – Tetovë ka kryer gjithësej 314 intervenime ku nga zjarri fatmirësisht ka pasur vetëm dëme materiale. Në krahasim me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë, këtë vit ka mbi 80 intervenime më tepër. Ndryshe, Temperaturat në vendin tonë zyrtarisht maten që nga viti 1948. Nga Drejtoria për Punë Hidrometereologjike thonë se matje janë bërë edhe më herët, por nuk dihet sa kanë qenë të sakta. Pas alarmit për temperature tropikale, autoritetet e vendit kanë dalë me të dhëna statistikore. Kësisoji, sic thuhet, vera më e nxehtë në Maqedoni është shënuar në vitin 2007 kur temperaturat kanë arritur deri në 45.7 gradë Celsius. /Blerona Jakupi/

 

read more
BotaTop LajmeVideo

(VIDEO) EKIPI I RI I BE-së: ABDULLAI – KOMPROMIS I MIRË

Ish-Diplomati Enver Abdullai përzgjedhjen e re të ekipit të Bashkimit Evropian e quan si kompromis të mirë, ku siç shprehet prioritet i është dhënë çështjeve gjinore, për shkak se dy gra pritet të marrin poste të rëndësishme. Sipas tij, krerët e BE-së përfundimisht kanë zgjedhur që të marrin në dorë implementimin e agjendave evropiane.

S`do mend se ekipin e ri të BE-së e presin probleme dhe sfida serioze, thotë ish-Diplomati Enver Abdullai, duke përmendur në këtë rast, reformimin e brendshëm, por edhe largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, Rusinë, Kinën apo fërkimet në distancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i Diplomacisë spanjolle Zhosep Borel do të jetë pasues i Federica Mogherinit. Kur dihet se Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës janë ngritur çështje se si do të reflektohet kjo në çështjen e Kosovës, në dialogun me Serbinë. Abdullai thotë se ekipi i ri  ka përkrahje nga krerët e BE-së, para së gjithash nga Kancelarja gjermane Merkel e Presidenti i Francës Macron, në strategjinë drejt Ballkanit Perëndimor.

Sipas ish-diplomatit Abdullai në përzgjedhjen e ekipit të ri prioritet i është dhënë çështjeve gjinore, ku dy gra pritet të marrin poste të rëndësishme. Mediat shkruajnë se kjo ka qenë një fitore e papritur e Merkelit. Gjysmë shekulli Gjermania nuk kishte patur njeriun e tyre në krye të Komisionit Evropian, kurse Ursula Fon der Lajen do të duhet të bëhet gruaja e parë në këtë funksion. /Klan Macedonia/

 

read more
1 2 3 4 182
Page 2 of 182