close
Top LajmeVendi

Universiteti i Tetovës e promovoi gjeneratën e absolventëve të vitit akademik 2021/2022

0 – ballina (1)

Në një atmosferë përplot emocione, rreth 1000 absolventë të Universitetit të Tetovës e shënuan sot përfundimin e studimeve themelore. Ceremonia e hedhjes së kapelave është manifestimi qendror ku absolventët bashkë me udhëheqësinë e Universitetit, pedagogët, prindërit dhe familjarët festojnë për sukseset dhe arritjet gjatë periudhës së tyre të studimeve. Në sheshin e Rektoratit të Universitetit tonë të pranishëm ishin mijëra qytetarë, të cilët duartrokitën bijtë dhe bijat e tyre për përmbylljen e këtij cikli studimesh, shumë të rëndësishëm për karrierën e tyre profesionale dhe akademike.

Manifestimin e ceremonisë së absolventiadës e shpalli të hapur Kryetari i Senatit të Universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Ai theksoi se, sot të gjithë së bashku jemi mbledhur këtu që të shënojmë përfundimin e një rrugëtimi të filluar vite më parë, rrugëtim ky që ishte me plot sfida e vështirësi për absolventët. “Është një festë e përbashkët, që ne po përcjellim edhe një gjeneratë të suksesshme, ndërsa ju po shënoni njërën ndër arritjet më të rëndësishme jetësore.

Dita e nesërme sjell për ju një fillim të ri, atë të karrierës suaj profesionale, rrugë në të cilën dija e fituar këtu do të ju bëjë të ndjeheni më të sigurt. Është shumë e rëndësishme që në shoqëri çdo njeri të kryej detyrën që i takon.

Pra, çdo njeri të kryejë një punë të caktuar, e cila i përshtatet talentit dhe karakterit të tij. Dhe kjo është drejtësia sipas Platonit, forca që harmonizon veprimin e virtyteve të shpirtit, vlera bazë mbi të cilën organizohet Republika, madje është virtyti kryesor i saj. Edhe në këtë rrugëtim, ne do të vazhdojmë të mbetemi pranë jush për të ju mbështetur drejt arritjeve të reja. Ju gjithmonë do të jeni zëri ynë, që do të depërtojë në arsyen e gjeneratave të reja, duke kultivuar dijen dhe duke mbjellë dashurinë ndaj saj. Ju do të jeni ata që do të na bëni të jemi më të suksesshëm, sepse suksesi i një universiteti matet me arritjet e studentëve të tij. Jemi të bindur në të ardhmen tuaj të ndritur, jemi të sigurt në sukseset tuaja. Bashkërisht do ta vazhdojmë ta ndërtojmë universitetin tonë që do të jetë sinonim i dijes, cilësisë dhe përparimit. Gjithmonë do të mbeteni studentë të Universitetit të Tetovës dhe Universiteti i Tetovës gjithmonë do të jetë Universiteti juaj”, tha mes tjerash Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit të
UT-së.

Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës absolventëve me fjalë rasti ju drejtua ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë, Jeton Shaqiri. Ai në fjalën e tij drejtuar absolventëve tha se deri sa ju me ngazëllim dhe zemërqeshur i prisni diplomat tuaja, unë sot dua të kujtoj kandilin përjetësisht të pashuar për aq sa do mbaje mend ky popull, për të qenë ne sot këtu dhe pa të cilin nuk do të ishim – martirin e dijes Aldylselam Eminin, dritë i pastë shpirti. “Sot, në ditën e diplomimit, nuk mbyllet kapitulli, por vijon. Vijon më fuqishëm se kurrë, sepse jeni ngritur më lart dhe me këtë janë ngritur edhe objektivat, pritshmëritë tuaja, por edhe të mjedisit tuaj ndaj jush. Nga sot keni përgjegjësi më të madhe sesa deri më sot, rritni orarin e punës dhe shkurtoni orarin e gjumit. Është e vetmja mënyrë për sukses dhe lumturi. Ky auditor sot, këtu pret nga ju që bashkë të bëjmë në qytet më të banueshëm, rrugë më të mira, ajër më të pastër, më shumë respekt dhe tolerancë, një vend më të sigurt dhe më afër vlerave evropiane dhe veri-atlantike, aty ku takojmë natyrshëm si popull prej kohësh. Në emër të qeverisë, sot ju obligohem që po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën për të përmirësuar kushtet për punësim, standardin jetësor, ngritjen e klimës së biznesit, përkrahjen për hapje të bizneseve, të gjithë atyre që pranohen në universitete më të mira, për master dhe doktoraturë – mbulimin e plotë të shpenzimeve të studimeve, po bëjmë gjithçka për ta bërë vendin tonë më të sigurt, për ta bërë opsionin numër një, për të jetuar dhe krijuar, për ta sjellë Evropën këtu, në vend që ju ta gjeni Evropën atje”, u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Ceremoninë festive të hedhjes së kapelave me prezencën e tij e nderoi edhe ministri i Shëndetësisë së vendit tonë, Bekim Sali. Ai duke iu referuar këtij organizimi madhështor tha se e veçanta nuk është vetëm festa që e kanë sot të diplomuarit ose absolventët dhe familjet e tyre, sepse ajo është e nënkuptueshme dhe unë për këtë dua t’ju uroj dhe t’ju dëshiroj shumë suksese. Megjithatë, kjo festë ka edhe arsye të tjera. Pas shumë viteve diskriminim ndaj të diplomuarve të mjekësisë në Universitetin e Tetovës, unë sot kam mundësi t’ju them se tashmë përfundimisht diploma e mjekut të Universitetit të Tetovës do të vlejë njësoj në llogaritjen e pikëve në konkurset për specializime.

 

Barazimi i pikëve për mjekët e të gjitha fakulteteve ka qenë një kërkesë e kamotshme që tashmë është tejkaluar, dhe ju mjekë të sapodiplomuar do të vlerësoheni njësoj si kolegët tuaj të secilit fakultet tjetër të mjekësisë në vendin tonë. Të dashur mjekë të rinj, përveç kësaj, pas ardhjes sonë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, mundësuam edhe hapjen e programit të mjekësisë familjare, që ka qenë po ashtu një kërkesë dhe nevojë e vjetër e kolegëve të Fakultetit të Mjekësisë në këtë universitet. Ajo që më gëzon, po ashtu, është se ne tashmë jemi në fazë të përpilimit të projektit për punësim të 50 studentëve më të
suksesshëm të fakulteteve të mjekësisë të vendit. Jam i bindur se si shoqëri nuk duhet te lejojmë në
asnjë formë më të suksesshmit të dalin jashtë vendit. Aq më tepër, besoj se “libreza” e suksesit dhe
diturive duhet të jetë momenti vendimtar gjatë pozicionimit dhe ngritjes profesionale. Besoj se këso
mundësie, për ta ndihmuar rininë intelektuale, nuk kemi pasur”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Bekim
Sali.

Në emër të studentëve ekselentë të kësaj gjenerate fjalë rasti mbajti absolventja e Fakultetit Juridik, Kaltrina Ruçi. Ajo, në fjalën e saj shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për Universitetin i cili vite më parë ua hapi dyert dhe u mundësoi që të studiojnë në kushte të mira, duke u ofruar bursa studimi dhe lehtësime të tjera. “Ne absolventët e kësaj gjenerate jemi shumë krenarë që i kemi ndarë
vlerat e përbashkëta me Universitetin e Tetovës dhe shpresojmë se edhe në të ardhmen do ta japim
kontributin tonë për këtë institucion model për arsimimin e të rinjve në vendin tonë dhe mbarë rajonin.
Studentëve që do të vijnë pas nesh u dëshirojmë suksese dhe i këshillojmë që të kenë objektiva të
mëdha dhe të punojnë me përkushtim dhe përulësinë më të madhe drejt realizimit të tyre. Të nderuara
zonja e zotërinj, fare në fund doja t’i veçoj ca fjalë zemre: ta falënderoj përzemërsisht engjëllin më të
bukur në qiell, që në këto momente jam e bindur që ndjehet plotësisht krenar me mua – Faleminderit
BABË!” – kështu e përmbylli fjalimin e saj Kaltrina Ruçi.

Fjalimin qendror dedikuar absolventëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë manifestim e mbajti Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Kam nderin e veçantë të Ju përshëndes në këtë ditë të shënuar për Ju, familjet tuaja dhe Universitetin e Tetovës. Me një përkushtim dhe angazhim serioz, bashkë me studentët dhe stafin akademik, arritëm sot në promovimin e absolventëve të vitit akademik 2021/2022, me ç’rast i kurorëzojmë me sukses rezultatet e një pune sistematike, të një pune
që do të lërë mbresa të pashlyeshme për të gjithë ne. Të nderuar absolventë, Ju që para tri-katër
vjetësh zgjodhët për të studiuar në Universitetin tonë, ndoqët me sukses rrugën e arsimimit dhe
edukimit, për të fituar njohuri të reja, dhe në këtë mënyrë kontribuoni në konsolidimin e vlerave të dijes
të mbarë shoqërisë. Këtë vit akademik, në të gjithë fakultet dhe programet studimore të Universitetit tonë, i kanë përfunduar studimet deridiplomike një numër i konsiderueshëm i absolventëve dhe me këtë rast, më lejoni që në emrin Tuaj t’ua shprehim mirënjohjen e pakufishme, në radhë të parë stafit
akademik dhe prindërve tuaj, që kanë merita për këto arritje, në përgatitjen e kuadrove të reja në fusha
të ndryshme të arsimit dhe shkencës. Diplomimi i absolventëve tanë është një ngjarje e madhe, dëshmi
e një progresi të qenësishëm, që është bërë në institucionin tonë, është një dëshmi se të gjithë ne jemi
qasur me seriozitet arsimit, kërkimit shkencor dhe përparimit shoqëror.

Nga analizat e detajuara që janë bërë, rezulton se Universiteti i parë në gjuhën shqipe në vendin tonë – Universiteti i Tetovës, ka rëndësi shumëdimensionale”, kështu u shpreh në fillim të fjalës së tij Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Më pas, ai tha se funksionimi i Universitetit tonë, për gati tri dekada e ngriti vetëdijen tonë kombëtare, dëshmoi se ka kapacitete për forcimin e institucionit, por mbi të gjitha përmes kësaj vatre arsimore u ruajt dhe u zhvillua qenia dhe identiteti ynë kombëtar. Sipas tij, me zhvillimin e Universitetit të Tetovës u sendërtua ëndrra dhe synimi i shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për ta fituar statusin e popullit shtetformues, që meriton të arsimohet në gjuhën e tij amtare, në gjuhën shqipe. “Ishte ky institucion që unifikoi intelektualët shqiptarë, e unifikoi kombin, e jetësoi dëshirën dhe vullnetin e rinisë shqiptare dhe jo vetëm, për të vazhduar studimet universitare sikurse të rinjtë tjerë në botën perëndimore.

Universiteti i Tetovës është pjesa më e rëndësishme e historisë sonë të re dhe ka kontribut të jashtëzakonshëm në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, duke u hapur rrugë shumë proceseve që rezultuan tejet të suksesshme për kauzën tonë kombëtare. Ne, të gjithë së bashku, kemi arritur që këtë vatër të dijes ta transformojmë në nivelin e universiteteve bashkëkohore, ku zhvillohet debati i mirëfilltë shkencor dhe respektohen liritë akademike. Prandaj, sot, si asnjëherë më parë ndjehemi të nderuar kur Ju kompletoheni me dije dhe arsimim të lartë, dhe aq më tepër kur kujtojmë rrugën e mundimshme për kurorëzimin e idealit Tuaj jetësor, marrjen e diplomave në fushat përkatëse të studimeve universitare, edhe atë në Universitetin e Tetovës, me të cilin secilin banor të këtyre trevave dhe më gjerë e lidhin shumë emocione nga e kaluara e afërt e ngritjes me mundime të këtij institucioni të vetëm të arsimit të lartë me mësim në gjuhën shqipe në vendin tonë”, shtoi ndër të tjera Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Ju falënderojmë të gjithëve për këto vite të bukura që kaluam së bashku dhe do të doja t’ju them se e përjetojmë këtë moment kaq madhështor sikurse Ju dhe prindërit tuaj të nderuar, të cilët sakrifikuan dhe kontribuuan për të ardhmen e përbashkët të kësaj shoqërie e të këtij Universiteti, e cila në krye me Ju, nuk ka se si të mos jetë e ndritshme dhe në krye me Ju nuk ka se si të mos jetë inspirim për gjeneratat që do të vijnë. Në fund, në emrin tim dhe në emër të Universitetit të Tetovës, Ju përcjell urimet vëllazërore të gjithë Juve, që na keni nderuar sot, në këtë ditë solemne e në këtë gëzim të përbashkët, të përmbylljes me sukses të studimeve të vitit akademik 2021/2022. Të bekuar qofshi me dije dhe suksese! I bekuar qoftë nga Zoti, Universiteti i Tetovës!”, e përfundoi fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës.

Në ceremoninë e hedhjes së kapelave të gjeneratës së absolventëve 2021/2022 morën pjesë me
mijëra qytetarë, prindër dhe familjarë të absolventëve tanë, si dhe shumë personalitete, në mesin e të
cilëve drejtues institucionesh, në nivel qendror dhe lokal. Ky manifestim u përmbyll me një program
artistik nga artistët Bajramali Idrizi dhe Shpëtim Mustafa.

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia