Fronti opozitar shqiptar: Artan Grubi dhe BDI po i fusin kazinot në shtëpitë tona!

Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike në emër të frontit opozitar shqiptarë para mediave akuzoi zv kryeministrin Artan Grubi se po fut biznesin e kazinove nëpër lagjet e banuara.

“Biznesi i kazinove do të hyjë në shtëpitë tona. Biznesi i kazinove do të hyjë në shkollat tona. Biznesi i kazinove do të hyjë në objektet tona fetare. Shteti do të krijojë tre kompani të reja të kazinove”, tha Mexhiti.

Sipas opozitës Qeveria nuk ka asnjë shpallje për spitale të reja, shkolla, kopshte, salla sportive por ka shpallje për ngritjen e tre rrjeteve të reja të kazinove nën ombrellën e shtetit.

“Vendimi është miratuar nga Qeveria, i nënshkruar nga Artan Grubi, njeriu që qëndron pas çdo kazinoje në vend. Këto kompani të kazinove, të cilat do të jenë kryesisht shtetërore, do të mundësojnë lojërat e fatit në internet, në telefonat, tabletët dhe kompjuterët tuaj të shtëpisë. Bixhozi do të hyjë në shtëpitë tona. Nëse deri tash duheshte të shkohet në një kazino, pas këtyre vendimeve të Artan Grubit dhe Qeverisë, kazinoja do të vijë në shtëpinë tuaj, vetëm me disa klikime në internet. Deri tani vidhnin përmes taksave dhe faturave. Duhej të bënin tendera, të negocionin privatisht, të krijonin biznese në emër të dikujt tjetër, të fshiheshin. Të bëhem cinik, ata mundoheshin dhe lodheshin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar. Tashmë ata po marrin dhe vjedhin paratë tuaja, nga shtëpia, direkt nga ju. Në planin e tyre, ju vetë duhet t’i çoni paratë në kazinotë që ata kontrollojnë dhe fëmijët tuaj nga shtëpia, nga shkolla, përmes internetit do të paguajnë drejtpërdrejt në llogaritë e tyre të biznesit. Ne nga opozita e bashkuar shqiptare e kundërshtojmë fuqishëm këtë përhapje të infeksionit me kazino deri tani në çdo rrugë, tanimë edhe në internet.
Ne do t’ju informojmë dhe do ta luftojmë këtë dukuri. Pas këtyre vendimeve dhe bizneseve qëndron BDI, qëndron Artan Grubi”, tha Mexhiti.

“Klientelistë në BDI të drejtuar nga Artan Grubi janë të fiksuar pas ëndrrës së tyre për t’u bërë oligarkë, por jo me punë të ndershme por me grabitje nga shteti, tani edhe me grabitje direkt nga paratë e qytetarëve. Ata përdorin librin të cilin ua kanë shkruar mësuesit e tyre Mijalkov dhe Gruevski. Ne si Opozitë e Bashkuar Shqiptare e bëjmë të qartë se duhet të ketë përgjegjësi për këtë”, – tha Mexhiti  në deklaratën e frontit opozitar të përbërë nga Alternativa Lëvizja Besa, dhe Lëvizja Demokratike.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share