Gjyqi ndaj Thaçit, Krasniqit e Selimit më 3 Prill

uçk thaci veseli krasniqi selimi

Avokati i Thaçit: Shpresojmë të sjellim lirimin e tij

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe 3 ish-drejtuesit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin për të parën herë të hënën, përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime Lufte.

Në gjyqin, që nis më 3 Prill, ata do të përballen me akuza për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë nga Marsi i 1998-ës deri në Shtator 1999. Prokuroria Speciale e Hagës publikoi një muaj më parë aktakuzat për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët akuzohen për krime mbi baza etnike, ku përfshihet vrasja e zhdukja me forcë e dhjetëra civilëve serbë.

Më 3 Prill, ata do të njihen me akuzat. Ndërsa 8 ditë më pas nis dëgjimi i mbi 300 dëshmitarëve. Parashikohet që i gjithë procesi i paraqitjes së provave të përmbyllet më 1 Prill të 2025, periudhë gjatë së cilës, 4 të pandehurit do të qëndrojnë në burgjet e Hagës.

Akuzat bazohen tek raporti i shumëkontestuar i ish-prokurorit dhe politikanit zvicerian Dik Marti, i cili ndër të tjera pretendonte se disa prej viktimave ishin zhdukur në veri të Shqipërisë, pretendime që nuk u vërtetuan kurrë. Thaçi dhe tre ish-krerët e UÇK-së që mbahen prej 2020-ës në paraburgim, kanë mohuar akuzat dhe i kanë quajtur ato përpjekje për të burgosur viktimat dhe jo agresorët.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share