Nuredini: Për tejkalimin e krizës energjetike nevojitet bashkëpunim i mirë rajonal

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, ka marrë pjesë në Forumin Energjetik për Evropën Juglindore 2022, i cili po mbahet sot në Selanik të Greqisë.
Në seancën kushtuar bashkëpunimit në energjetikë për garantimin e sigurisë energjetike përtej kufijve, Nuredini së bashku me kolegët ministra nga vendet e Evropës Juglindore dhe rajonit të Mesdheut Lindor diskutuan për gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës energjetike. Ministri Nuredini theksoi  se në përgjithësi, si të gjitha vendet, edhe Republika e Maqedonisë së Veriut është e orientuar drejt shfrytëzimit të kapaciteteve vendore.
Ministri Nuredini theksoi se mundësitë që ofrojnë interkonektorët e gazit nga vendet fqinje, Greqia dhe Bullgaria, janë të hapura për vendin tonë. Pikëpamja e përbashkët ishte se duhet të krijohet një bashkëpunim i mirë ndërkufitar midis vendeve fqinje dhe të sigurohet mbështetje reciproke në rast nevoje.
Sipas Nuredinit, kriza energjetike nuk duhet të jetë arsye dhe pengesë për vazhdimin e procesit të dekarbonizimit që tashmë ka filluar, dhe shtetet duhet të ndjekin vijën e përgjithshme të politikave të parapara të gjelbra dhe synimet e  përcaktuara klimatike.
Në margjinat e ngjarjes, ministri Nuredini u takua me Laura Lochman, Zëvendës Ndihmës Sekretare për Diplomaci Energjetike në Byronë e Burimeve Energjetike të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në takim u diskutua për diversifikimin e furnizimit me energji dhe gjendjen e përgjithshme energjetike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Forumi Energjetik i Evropës Juglindore organizohet në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë Amerikano-Greke  dhe partneritetin strategjik të Këshillit Atlantik dhe në të patën mundësinë të shkëmbejnë mendime dhe pikëpamje mbi gjendjen  e energjisë politikëbërësit kryesorë, rregullatorët, përfaqësues të bizneseve kryesore, financierë, akademikë  dhe ekspertë nga Greqia nga Rajoni.
PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share