OBSH: Evropa përballet me plakjen e personelit mjekësor

“NDIKON NË SHËRBIME TË KËQIJA SHËNDETËSORE, MADJE EDHE NË KOLAPS TË SISTEMEVE”

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se Evropa po përballet me një “bombë me sahat” për shkak të uljes së shpejtë të numrit të mjekëve dhe personelit mjekësor. Në 13 nga 44 vendet që morën pjesë në hulumtim, është vërtetuar se 40% e mjekëve janë të  moshës 55 vjeç e lart dhe së shpejti do të pensionohen. E gjithë kjo mund të shpie në shërbime shëndetësore më të këqija në të ardhmen, pritje të gjata për trajtim, vdekje të parandalueshme dhe madje edhe në kolaps të sistemeve shëndetësore, paralajmëroi Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Plakja e mjekëve dhe infermierëve në rajonin evropian ishte problem serioz edhe para pandemisë së Covid-it, ndërsa tani ai bëhet edhe më i madh me të ashtuquajturën “burnout”, që kontribuon më tej në reduktimin e fuqisë punëtore në shëndetësi. Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke përdorur të dhënat e hulumtimit mbi këtë temë, thekson se problemi prek të 53 vende në Evropë dhe Azinë Qendrore dhe qeveritë do të duhet të angazhohen për të zëvendësuar mjekët në pension dhe personelin tjetër sa më shpejt që është e mundur, para se të jetë vonë.

“OBSH inkurajon vendet që të veprojnë menjëherë për të trajnuar, rekrutuar dhe mbajtur brezin e ardhshëm të punonjësve shëndetësorë. Zëvendësimi adekuat i mjekëve në pension dhe personelit tjetër mjekësor është shqetësim i rëndësishëm për qeveritë dhe autoritetet shëndetësore në periudhën e ardhshme,” deklarojnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Një problem tjetër, i vënë në dukje nga OBSH, është shëndeti mendor i mjekëve dhe personelit mjekësor. Në disa vende, madje 80% e motrave medicinale kanë raportuar një formë shqetësimi psikologjik të shkaktuar nga pandemia, dhe një raport i OBSH-së sugjeron që 9 nga 10 motra medicinale kanë deklaruar se kanë për qëllim të largohen nga puna.

Puna me orar të zgjatur, me mbështetje joadekuate profesionale, mungesa serioze e kuadrit, në kushtet të pandemisë dhe vdekshmërisë së lartë –  kanë lënë gjurmë të thella në psikikën e punonjësve shëndetësorë. Si pasojë, shkalla e mungesës në punë u rrit me 62% gjatë valës së parë të Covid-it në vitin 2020 dhe probleme mendore u regjistruan pothuajse në të gjitha vendet e rajonit evropian,” deklaroi Hans Kluge, drejtor rajonal për Evropën, OBSH.

E gjithë kjo paraqet një “bombë me sahat”, thotë Kluge, duke shtuar se vendet kanë një detyrim moral të merren me problemet në shëndetësi. Numri i personelit shëndetësor ndryshon nga vendi në vend. Nëse në Turqi ka 54.3 mjekë dhe motra medicinale për 10 mijë banorë, në Norvegji, Islandë, Monako dhe Zvicër ka 200. Në përgjithësi, numri më i vogël i personelit shëndetësor është në Azinë Qendrore dhe Perëndimore, ndërsa më së shumti në Evropën Perëndimore./KlanMacedonia/

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share