close
Rajoni

Shqipëria kundër raportit të Marty-t, Rama: KiE të shpallë të pabazuara akuzat për trafik organesh

edi-ramaaa1

Kryeministri Edi Rama konfirmoi këtë të shtunë se Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës të shkruara në raportin e Dick Marty-t.

“Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi. Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë zyrtarisht në Këshillin e Evropës, rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022”, shkruan Rama në një postim në Facebook.

Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

“Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nismë shprehje kuptimplotë të këtij vullneti”, shkruan Rama.

Rezoluta u është dërguar:

1.Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;

2.Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës;

3.Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës;

4.Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

5.Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

6.Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

7.Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryeministri Rama ka premtuar se do të shkojë edhe vetë personalisht në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg më 10 -14 Tetor në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KiE për të kërkuar rrëzimin rezolutën e miratuar në Janar të vitit 2011 nga Dick Marty, mbi bazën e të cilës janë ngritur dhe akuzat për 4 ish-luftëtarët e UÇK përfshirë dhe ish-Presidentin Thaçi./tvklan.al

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia