Taravari: ASh nuk do të votojë për ndryshime nëse “20 përqindëshi” mbetet në Kushtetutë

Tetë deputetët e Aleancës për Shqiptarët do t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese, me kusht që “20 përqindëshi”, që i referohet numrit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të fshihet nga Kushtetuta.

Qëndrimin e partisë politike opozitare e ka bërë të ditur nënkryetari i saj Arben Taravari në një konferencë për media në Gostivar, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me aktualitetin rreth ndryshimeve kushtetuese dhe propozimin për referendum të VMRO DPMNE-së.

Taravari beson se shumica aktuale nuk i ka 80 votat në Kuvend për t’i zbatuar ndryshimet kushtetuese, ndërsa partia e tij vendosi një kusht.
PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

 

“Situata aktuale politike është problematike dhe me sa shoh nuk ka gjasa që të sigurohen 80 vota. Si parti e kemi një kërkesë, pra plotësimin e një parakushti. Deputetët tanë nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nëse nuk tërhiqet “20 për qind” nga kushtetuta në pjesën e realizimit të të drejtave të një komuniteti”, deklaroi Taravari.

Për referendumin dhe propozimin e VMRO DPMNE-së, ai mendon se është më shumë punë e partive maqedonase dhe se shqiptarët nuk janë shumë të shqetësuar për këtë. Shqiptarët janë më të interesuar për fillimin e negociatave të RMV-së me BE-në. Ai është decid dhe thekson se negociatat do të fillojnë pas ndryshimit të kushtetutës së vendit.

I pyetur nëse fillimisht do të ketë zgjedhje të parakohshme apo do të zhvillohen para ndryshimeve kushtetuese, Taravari u përgjigj se zgjedhjet janë gjithnjë e më të sigurta, sepse për to nuk ka mbështetje prej 80 votave në parlament.

“VMRO-DPMNE deri më tani disa herë e ka përsëritur qëndrimin se nuk do t’i mbështesë amendamentet kushtetuese, ndërsa dje Qeveria e përcaktoi kornizën negociuese nga e cila kryeministri Kovaçevski pret që pas tetë vitesh vendi të bëhet anëtar i plotë i BE-së. Këto janë pikëpamje diametralisht të kundërta. Që të mos ketë zgjedhje të parakohshme, të gjitha subjektet politike do të duhet të angazhohen dhe të japin mbështetjen e tyre për ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Taravari.

Lidhur me postin drejtues në parti, Taravari ka treguar se pas dy javësh kryesia qendrore do të mblidhet dhe do të vendosë se kush do të jetë ushtruesi i detyrës kryetar. Ai është një nga më të përmendurit si pasardhës i mundshëm i Ziadin Selës, por siç nënvizoi,kryetari i ardhshëm i ASH-së do të zgjidhet në kongres./MIA

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share