Uajoming, shteti i parë në SHBA që ndalon pilulat e abortit

Uajoming është bërë shteti i parë amerikan që ka ndaluar pilulat për abort, pasi guvernatori Mark Gordon, e ka nënshkruar një projektligj, që e ka bërë të paligjshëm përshkrimin dhe shitjen e tyre.

Shkelja e vendimit ndëshkohet me deri në gjashtë muaj burgim dhe 9.000 dollarë gjobë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Gratë “ndaj të cilave kryhet apo tentohet të kryhet aborti” nuk do të ndiqen penalisht.

Pas vendimit të Gordonit, një gjyqtar në Teksas ka thënë se po e konsideron mundësinë e padisë, çka mund të bllokojë zbatimin e ndalesës për pilulat e abortit në gjithë vendin.

Pilulat e abortit janë metoda më e zakonshme për t’i dhënë fund një shtatzënie në Shtetet e Bashkuara.

Projektligji i Uajomingut, i cili është miratuar nga legjislatura e kontrolluar nga republikanët, pritet të hyjë në fuqi prej 1 korrikut.

Aty nuk mbulohen pilulat që merren për parandalim të shtatzënisë menjëherë pas marrëdhënieve seksuale (morning-after pills), apo trajtimet që ekzistojnë për të mbrojtur një grua, shëndeti i së cilës është në rrezik.

Avokati i Sindikatës së Uajomongit për Liri Civile Amerikane, Antonio Serrano, e ka kritikuar projektligjin, duke thënë se “shëndeti i një personi, dhe jo politika, duhet të ndikojë në krijimin e vendimeve të rëndësishme mjekësore – përfshirë vendimin për të kryer abort”.

Uajoming është një prej vendeve të shumta në Shtetet e Bashkuara, ku është duke u sfiduar çështja e ndalimit të abortit, pas vendimit të Gjykatës Supreme për të përmbysur një vendim të vitit 1973 – të njohur si Roe v Wade – që legalizonte abortin.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA – mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë./REL

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share