close

Vdiq ministri i Jashtëm i Bjellorusisë

Ministri i Jashtëm i Bjellorusisë, Vladimir Makei, i cili mbante postin e tij që nga viti 2012, ka vdekur në moshën 64-vjeçare, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Belta.

Ai këtë javë mori pjesë në një konferencë të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) – një aleancë ushtarake e disa shteteve post-sovjetike – në Jerevan dhe do të takohej të hënën me homologun rus Sergej Lavrov.

Para zgjedhjeve presidenciale dhe protestave masive antiqeveritare në Bjellorusi në vitin 2020, Makei kishte qenë një nga nismëtarët e përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet e Bjellorusisë me Perëndimin dhe kishte kritikuar Rusinë.

Por ai ndryshoi befas qëndrimin e tij kur nisën protestat, duke thënë se ato ishin frymëzuar nga agjentë të Perëndimit.

“Jemi të tronditur nga raportet për vdekjen e kreut të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bjellorusisë, Vladimir Makei”, postoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në kanalin e saj Telegram.

Bjellorusia është një nga aleatët më të vendosur të Rusisë, veçanërisht qëkur filloi lufta në Ukrainë më 24 shkurt.

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!